Edhe dy viktima nga COVID-19 në Shqipëri

27

Në Shqipëri kanë humbur jetën edhe dy persona të tjerë si pasojë e koronavirusit, duke e çuar në 81 numrin e viktimave nga virusi në këtë vend.

Rovena Daja, nga Instituti i Shëndetit Publik, dha më shumë detaje:

“Në 24 orët e fundit, dy qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]. Një qytetare 45-vjeçare nga Berati dhe një 82-vjeçar nga Kruja, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, me gjithë përpjekjet e mjekëve, nuk kanë mundur të mbijetojnë”.

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë njoftoi po ashtu se në 24 orët e fundit janë testuar 409 mostra, nga të cilat 74 kanë dalë pozitive me koronavirus.

“Vijon të ketë shtrime në Spitalin Infektiv [në Tiranë], ku aktualisht janë 81 pacientë, mes tyre edhe mosha të reja. Shtatë pacientë janë në terapi intensive, në gjendje serioze, dhe dy prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë”, tha Daja.

Ajo tha se shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 37 raste në Tiranë, 10 në Durrës, 5 në Shkodër, nga 3 raste në Korçë e Kavajë, nga 2 raste në Fier, Lushnje, Mirditë dhe nga 1 rast në Elbasan, Pukë, Berat, Kamëz, Gjirokastër, Pogradec, Sarandë, Vau i Dejës, Dibër, Malësi e Madhe.

“Në 24 orët e fundit janë shëruar 42 qytetarë, duke e çuar në 1,744 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë”, tha Daja.

“Në vendin tonë aktualisht janë 1,213 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë e Durrës”, shtoi ajo.

Shqipëria nuk ka vendosur ende masa të reja shtrënguese pas rritjes së numrit të rasteve në ditët e fundit, siç ka bërë Kosova.

Megjithatë, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, një ditë më herët, ka kërkuar nga qeveria një strategji të re për përballimin e pandemisë.

Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri, deri më sot janë bërë 29,669 testime, prej të cilave 3,038 kanë rezultuar pozitive me COVID-19.

Comments are closed.