Dibër, 3 prill – Edhe pse disa ditë Dibra nuk pati asnjë rast me COVID 19, dje gjendja ndryshoi. Nga 19 testet e fundit që u morën, 17 kanë dalë negative, por dy raste kanë rezultuar pozitiv. “Kjo do të thotë se virusi ende është në Dibër dhe kjo na paralajmëron se kujdesi dhe respektimi i rekomandimeve vazhdon më tutje”, tha kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, njëherësh shef i Shtabit operativ të Dibrës, shkruan gazeta KOHA.
Duka shtoi se prej ditës së mërkurës e deri tash, kanë marrë edhe 22 teste të tjera ndërsa priten rezultatet, derisa në izolim shtëpiak janë 131 persona. Sa i takon gjendjes së sigurisë, në pres konference kryetari Duka tha se ka qenë e qetë, qytetarët respektojnë masat qeveritare dhe nuk ka shkelje në këtë drejtim. Ai informoi se në Dibër ende ka shtetas të huaj si nga SHBA dhe Kanadaja që kanë mbetur të bllokuar.
Duka tha se presim zgjidhje edhe të këtyre shtetasve, ndërsa shtoi se është në kontakte të vazhdueshme me ambasadat përkatëse dhe beson se ky problem do të tejkalohet. “Në qytet kanë arritur një numër i madh i ndihmave humanitare. Pas një takimi të pushtetit vendor me përfaqësues të shoqatave humanitare, u vendosën që këto ndihma të shpërndahen me një listë të përbashkët. Kjo mënyrë e shpërndarjes së ndihmave humanitare filloi dhe ndarja bëhet sipas listës së përbashkët dhe kjo mënyrë e ndarjes ka sjell rezultate”, shtoi Duka. (V.S/koha.mk)