Evis HALILI
Shkup, 5 janar – Rezultatet e konkurseve për Programin nacional të kulturës nuk janë gati. Në Ministrinë e Kulturës vazhdon shqyrtimi i projekteve të dorëzuara një muaj e gjysmë më parë në shtatë veprimtaritë arte vizuale, arkitekturë e dizajn; folklor e muzikë, dramë; literaturë e botime; projekte interdisiplinare; trashëgimia; veprimtaria ndërkombëtare, shkruan gazeta KOHA. Volumi i aplikimeve, kriteret dhe formati i ndryshuar i konkurrimit, janë disa prej arsyeve kryesore që të zhvendosen limitet kohore për shqyrtimin e projekteve nga një muaj, në dy. I unifikuar dhe i thjeshtëzuar, sipas rregullave dhe kritereve të reja që i përshtaten nevojave dhe kërkesave të atyre që merren me kulturë, u cilësua ky konkurs, për të cilin Ministria e Kulturës paralelisht zhvilloi edhe tre sesioneve informative për të sqaruar aplikantët. Në Ministrinë e Kulturës pohojnë se grupet e punës janë duke punuar intensivisht, ndërsa shpallja e rezultateve mund të bëhet në mesin e muajit janar. Risi në transparencën e rezultateve këtë vit krahas informacioneve për projektin do të jetë edhe publikimi i shumave me të cilat do të mbështetet çdo projekt në veçanti. Pritjet për Programin e sivjetshëm janë më të mëdha, jo vetëm për shkak të riformatimit të konkurseve në veçanti, por edhe për fondin me të cilin ky institucion ka planifikuar për të financuar veprimtaritë kulturore. Gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2018 ministri i Kulturës Robert Allagjozovski bëri me dije se për financimin e sektorëve dhe projekteve në kulturë për vitin 2018 parashikohen mbi 200 milionë denarë më tepër sesa një vit më parë. Konkretisht sa i takon financimit të drejtpërdrejtë të veprimtarive, aktivitetet e sektorit të dramës janë të parat sa i takon përqindjes 23% krahasuar me buxhetin e vitit 2017 ( mbi 471 milionë denarë). Më pas është sektori i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore (mbi 437 milionë denarë), si edhe veprimtaria skenike dhe artin muzikor (mbi 347 milionë denarë), e të tjera. Nga ana tjetër, një tjetër rregulli i ri për seleksionimin e projekteve do të jetë cilësia si kriter bazë. Sipas paralajmërimeve nga ky institucion shifrat do të kalojnë në plan të dytë dhe projektet do të miratohen jo për të shtuar përqindjen, por për të shtuar cilësinë.
Botime, muzikë, dramë janë sektorët ku edhe këtë vit numërohen më shumë projekte për kulturën shqiptare. Në ministri bëjnë me dije se interesimi është më i madh në këto veprimtari dhe pritet që edhe projektet në mbështetje të kulturës shqiptare do të jenë më të shumta në programin e këtij viti. Buxheti i këtij vit i kushton një rëndësi mbështetjes së aktiviteteve që lidhen me bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shprehjeve të reja artistike, sektorë këto që vitet e kaluara janë mbështetur pak ose aspak nga buxheti i ministrisë. Financimi i aktiviteteve për integrimin evropian ka siguruar një fond prej 20 milionë denarë ( 90% më shumë). Ndërsa risi janë shprehjet e reja multidisiplinore, ndërdisiplinore dhe moderne artistike, për të cilat është akorduar një fond prej 28 milionë denarë. Edhe fondet e dedikuara për mbështetjen e talenteve të reja për këtë vit janë dyfishuar. (koha.mk)