Po ashtu, krahas kësaj edhe prindërit kanë qasje në programet edukative se si të punojnë me fëmijët në shtëpitë e tyre. Sipas bartësve të këtij projekti, qendrat e këtilla kanë kosto me të ulët ndërsa hapja e tyre bëhet në vendet rurale dhe të margjinalizuara, ku hapja e kopshteve kushton shumë
Urim HASIPI
Tetovë, 18 prill – Krahas fshatrave Shipkovicë dhe Sellcë, edhe fshatrat Gajre dhe Brodec të Malësisë së Tetovës do të kenë qendrat e tyre për zhvillim të hershëm fëmijëror. Kjo është vendosur në seancën e parafundit të Këshillit të Komunës së Tetovës. Këshilltarët dhanë dritë jeshile që edhe në këto fshatra të Malësisë së Tetovës të ketë qendra të këtilla, shkruan gazeta KOHA. Në këtë formë ato do të vazhdojnë të funksionojnë në suaza të çerdhes së Tetovës, së bashku edhe me qendrat tjera për zhvillim të hershëm të fëmijëve, dhe kjo nënkupton se në këto qendra mund të regjistrohen fëmijët nga mosha tre deri në moshën pesë vjeçare, thonë nga Komuna e Tetovës. Në seancë u vendos që të bëhen përgatitjet që edhe në këto dy fshatra të ketë qendra për këta fëmijë që nuk ndjekin procesin edukativ nëpër çerdhe.
“Këshilli ka miratuar propozim vendimin për formimin e Qendrës për zhvillim të hershëm fëmijëror në kuadër të institucionit publik për fëmijë Kopshti i fëmijëve “Mlladost” Tetovë, që gjendet në një pjesë të objektit Shkollës Fillore “Rexhep Voka” fshatin Shipkovicë, në hapësirat e shkollës rajonale në fshatin Brodec. Po ashtu në këshill kaloi edhe propozim vendim për formimin e Qendrës për zhvillim të hershëm fëmijëror në kuadër të institucionit publik për fëmijë, Kopshti i fëmijëve “Mlladost” -Tetovë, që gjendet në një pjesë të objektit Shkollën fillore “Istikball” Tetovë, në hapësirat e shkollës rajonale në fshatin Gajre”, tha Bekim Memeti kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Nga Sektori për Arsim kanë njoftuar se paralelet për zhvillim të hershëm kanë dhënë rezultate të mira të cilat fillimisht u hapën nga ana e UNICEF-it dhe disa shoqatave joqeveritare, kurse tashmë tre e më shumë vite janë në menaxhim të Komunës së Tetovës. Nga dikasteri i arsimit në Tetovë pohojnë se rezultatet janë të mira sepse fëmijët mund të fillojnë procesin arsimor më herët se mosha 6 vjeçare.
“Rezultatet janë të mira. Është një gjë e mirë sepse deri më tash nuk kemi pasur qendra për zhvillim të hershëm të fëmijëve në Tetovë, sidomos në vendbanimet rurale, me ç`rast fëmijët nën moshën 6 vjeçare nuk kanë qenë të inkorporuar në sistemin edukativo-arsimorë dhe me këtë hapet një gamë më e madhe që nxënësit të jenë më të përgatitur kur të fillojnë mësimin”, tha Ahmet Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.
Në ndërkohë, nga Komuna thonë se pritet që qendrat për zhvillim të hershëm në viset rurale të kenë efekt të dyfishtë. “Me hapjen e këtyre qendrave, prindërit nga vendet rurale nuk do të sjellin fëmijët deri në Tetovë, por do t`i dërgojnë në qendrat në vendbanimet e tyre. Tashmë synimi ynë po realizohet për zhvillimin e hershëm të fëmijëve parashkollorë, ku funksionojnë paralelet në Sellcë dhe Shipkovicë”, deklaroi Ahmet Qazimi. Në qendrat për zhvillim të hershëm fëmijëror, e para e këtij lloji që u hap në fshatin Sellcë para 5 viteve, mundësohet që fëmijët disa orë gjatë ditës të ndjekin program të organizuar për mësim të hershëm.
Po ashtu, krahas kësaj edhe prindërit kanë qasje në programet edukative se si të punojnë me fëmijët në shtëpitë e tyre. Sipas bartësve të këtij projekti, qendrat e këtilla kanë kosto me të ulët ndërsa hapja e tyre bëhet në vendet rurale dhe të margjinalizuara, ku hapja e kopshteve kushton shumë. (koha.mk)