Edhe dy ditë fushatë për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale

22

Shkup, 14 tetor – Mbeten edhe dy ditë nga fushata zgjedhore për rrethin e parë të Zgjedhjeve lokale 2021 në të cilat kandidatët për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë mund t’i prezantojnë projektet dhe premtimet e veta para elektoratit.

Në tribunë qytetare “Më e mira për komunën time” e cila u mbajt mbrëmë në Butel, Zaev porositi se ekonomia e vendit është stabile dhe se shteti është këtu edhe për komunat edhe secilin njeri dhe theksoi edhe se investimet nga pushteti qendror strategjik do të përdoren për vende të reja të punës dhe për paga më të larta për secilin.

Mbrëmë në Butel të Shkupit dhe Autokomandë, kandidatët e vet i prezantoi LSDM në pushtet, opozitarja VMRO-DPMNE ishte në Kratovë, Probishtip dhe Kriva Pallankë, BDI u prezantua në Kërçovë, BESA në Zhelinë të Tetovës, e Majta në Veles…

“Kundërshtari ynë politik do të fitojë në gjashtë komuna, do të marrë gjashtë kryetarë komune, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja do të ketë të paktën 22 kryetarë komunash në rrethin e parë ose 3.5 herë më shumë. Rezultati do të jetë 22:6 në rrethin e parë. Më dëgjoni me kujdes, jam mirë i informuar, tha lideri i LSDM-së dhe kryeministër, Zoran Zaev në tubimin e mbrëmshëm në Autokomandë.

Zaev theksoi se koha e VMRO-DPMNE-së përfundoi me luanë, dema dhe kërmij. Kjo, tha ai, është një kohë e bashkive moderne, moderne evropiane, e një shteti të zhvilluar evropian.

“Ndërtojmë një shtet, komuna, e dëgjojmë zërin e qytetarëve. Nuk është normale të vendosësh luanë, dema dhe kërmij, dhe të shesësh vlera konservative dhe ndershmëri të pretenduar pas së cilës fshihen orekset kriminale. Sot të gjithë janë të vendosur, VMRO-DPMNE përfundon me luanë, dema dhe kërmij. Këto janë kohë të njerëzve të gëzuar, pemë dhe parqe, bulevarde dhe rrugë të sigurta, buzëqeshje të fëmijëve në kopshte moderne, nxënës të motivuar në shkollat moderne, këto janë kohë të kulturës autentike urbane dhe komunave evropiane”, nënvizoi Zaev.

Në tribunën qytetare “Më e mira për komunën time” në Butel, ndërkaq, porositi se rrogat, pensionet dhe mbështetja nga shteti do të rritet edhe më tej.

“Pagat janë rritur për mbi 6.000 denarë, edhe paga mesatare dhe minimale poashtu, për tre here më shumë sesa në kohën e VMRO-DPMNE-së. Dhe do të rriten. Për tre muaj – paga minimale do të jetë 18.000 denarë, ndërsa ajo mesatarja mbi 30.000 denarë. Pagat, pensionet dhe mbështetja nga shteti edhe më tej do të rriten, do të jenë më të mëdha se shpenzimet e nevojshme për jetë”, theksoi Zaev.

“Sigurojmë zhvillim të barabartë në të gjitha rajonet me sistemim planor të investimeve qendrore. Do ta mbështesim zhvillimin e bizneseve të vogla, veçanërisht të bizneseve deficitare në komunat, që të zhvillohen dhe të jenë në numër më të madh – ky është misioni ynë”, theksoi ai.

Këto janë zgjedhje lokale me rëndësi thelbësore për drejtimin, sipas të cilit do të lëviz shteti. Këto janë zgjedhje ku me zgjedhjen e juaj i dërgoni porosi pushtetit. Nëse dëshironi të sundojnë me pushtet absolut ende apo dëshironi ndryshime? Përgjigja po ndjehet tek pakënaqësia e popullit. E, kjo nuk është vetëm pakënaqësi nga premtimet e parealizuara të pushtetit, por edhe nga arroganca e tyre, nënçmimi të cilin e kanë ndaj popullit dhe pazari me identitetin tonë.

Kjo është porosia nga lideri iVMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski nga tubimi i mbrëmshëm parazgjedhor në Kratovë.

Ai bëri me dije se shteti po hynë në një spiralë inflacioniste, çmimet e të gjitha prodhimeve po rriten, është shtrenjtuar gjithçka në shitore, mielli, buka, vaji, benzinat, ndërsa na pret edhe një krizë e re energjetike.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti theksoi se prapa nesh është koha e Marrëveshjes së Ohrit.

“Jam sot këtu me të gjithë së bashku për të dhënë përkrahje Fatmir Deharit. Jemi me ju për 20 vite me rradhë që të dalim faqebardhë në të gjitha fushëveprimtaritë. Ky është mandat për shkëlqim sepse Agjenda e blertë tërë sistemimin e ambientit të projektuar në të gjitha sferat pritet epilogu përfundimtar të fillojnë punimet dhe fshatrat e qyteti jonë të lulëzojë. Në projekt e sipër është gazifikimi që vitin e ardhshëm të depërojë në Kërçovë që ndihmon Agjendën tonë të mos ndotet ajri. Mbi shpatullat e mia ka përgjegjësi të mëdha në përzgjedhjen e kuadrove përfshirë dhe Fatmir Deharin. Unë shfrytëzoj tre instanca, bazën-degën, qendrën ku jam dhe unë si dhe popullin. Dhe unë e respektoj vullnetin e shumicës së popullit sepse ky është kapitulli i ri”, ka
theksuar kryetari i BDI-së Ahmeti.

Në tubimin parazgjedhor, mbrëmë Lëvizja BESA i prezantoi kandidatin për kryetar të Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu dhe kandidatët për këshilltarë të udhëhequr nga bartësi Bujar Bafqari.

“Ne nuk kërkojmë mandat për teke personale, askush nuk kërkon një mandat individual, ne ju shërbejmë, ne kemi qenë totalisht në shërbimin tuaj në vitet e kaluara. Në komunën e Zhelinës për tetë vjet sa ishin në pushtet, nuk mund të krahasohet me katër vjet të sundimit tonë. Ne zbatuam moralin, etikën, suksesin, e bëmë shembull komunën, nga komuna e dështuar u bëmë komuna e parë në nivel kombëtar në realizimin e projekteve. Ka ende shumë për të bërë, ne kemi një plan për katër vitet e ardhshme. Nëse kemi arritur kaq shumë në këto katër vjet pa një qeveri qendrore, imagjinoni sa më shumë projekte mund të zbatojmë, ju do të jeni krenarë për ne dhe ne nuk do të ndalemi këtu, derisa të bëjmë krenar qytetarin e fundit për ne”, Blerim Sejdui para banorëve të vendbanimeve nga Komuna e Zhelinës.

Aleanca për shqiptarët, në kumtesë me shkrim akuzoi për fushatë negative nga partitë në pushtet kundër opozitës.

“Sot, vetëm dy ditë para përfundimit të fushatës, partitë në pushtet në mungesë të sukseseve, në mungesë të projekteve konkrete dhe në frikë nga humbja e zgjedhjeve, filluan fushatën e errët dhe negative ndaj opozitës. Në Tetovë, Gostivar, Çair, Saraj dhe komunat e tjera janë shpërndarë pamflete me shpifje të ulëta, gjuhë të urrejtjes dhe fyerje ndëretnike. Rasti është denoncuar në polici dhe misionin e OSBE-ODIHR dhe kërkojmë publikisht nga organet e rendit, ti zbulojë autorët e kësaj propagande. Këto veprime të regjimit hibrid LSDM-BDI nuk do të ndalin vullnetin e qytetarëve për ndryshim, por vetëm se demaskojnë retorikën e tyre për bashkëjetesë, shtet për të gjithë dhe mashtrime të ngjashme”, tha zëdhënësi i ASH-së, Flakron Bexheti.

“Sot e treguat fytyrën e vërtetë. Se kush qëndron prapa këtyre pamfleteve e tregon më së miri përmbajtja e të njëjtave, të cilat janë të ngjashme me deklaratat e kryeministrit Zaev dhe eksponentëve të BDI-së. Ju bëjmë thirje simpatizantëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës që të mos bien pre e provokimeve të këtilla. Veprime të ngjashme kemi parë edhe në disa raste në të kaluarën dhe janë tipike për partitë në panikë, në prag të humbjes së pushtetit. Duke i njohur si funksionojnë, presim që me fabrikime të ngjashme të vazhdojnë deri në momentin e fundit, por sigurojmë opinionin dhe autorët se nuk do të kalojnë pa u sanksionuar fillimisht nga qytetarët përmes votës e më pas edhe me ligj”, shtoi Bexheti.

Zgjedhjet lokale do të mbahen të dielën m[ 17 tetor. Votimi për zgjedhjet fillon të shtunën, ndërsa të parët do të votojnë të sëmurët dhe të pamundurit, personat me Kovid-19 dhe në vetizolim, të burgosurit, personat në paraburgim, në shtëpitë e pleqve…

Për herë të parë në këto zgjedhje identifikimi i votuesve do të bëhet me pajisje për identifikim biometrik përkatësisht me shenjë nga gishti, ndërsa në zgjedhje, si edhe për zgjedhjet e kaluara, do të zbatohen masat për mbrojtje nga përhapja e Kovid-19.