Shkup, 10 janar – Kryeministri Zoran Zaev pret që deputeti Panço Minov nga GROM të votojë për ndryshimet kushtetuese, por se ende nuk mund të thotë se janë siguruar 80 votat e nevojshme të deputetëve.
“Deputeti Panço Minov do të votojë, ka punuar në amendamentet. Është kyçur tre-katër herë në amendamentet me kreativitetin e tij në propozimet dhe kjo do të jetë pjesë përbërëse në Kushtetutën e re nëse votohet”, deklaroi Zaev pas dorëzimit të vendimit të parë për operator të autorizuar ekonomik në Qeverisë, informon Koha.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për qëndrimin e deputetes Elizabeta Kançeska Milevska, Zaev tha se ajo ka hyrë thellë në proces, është e njoftuar me të gjitha hollësitë. Vendimin, thotë, do ta sjell vet ajo, grupi i saj i deputetëve dhe secili deputet veçmas.
“Nuk mund të them nëse do të votojnë 80 deputet, apo do të jenë 79 ose 82 apo 88, askush këtë tani nuk mund ta thotë. Besoj se procesi i bisedimeve i cili i zhvillua jep mundësinë të besojmë se do të sigurohet numri i nevojshëm prej 80 deputetëve, ky është qëllimi përfundimtar dhe për këtë po bisedojmë”, shtoi Zaev. (Koha.mk)