Bruksel, 30 tetor – Autoritetet belge vendosën që ta mbyllin vendin për shkak të gjendjes katastrofike epidemiologjike, informojnë mediat lokale.
Edhe pse paraqitja e kryeministrit të Belgjikës është caktuar për në orën 19, RTFB informon se në takimin e sotëm të kryeministrit me përfaqësuesit e organeve federale dhe entitetit është sjellë vendim për mbylljen e shtetit, sipas shembullit të Francës, duke filluar nga 1 nëntori dhe do të zgjasë të paktën një muaj.
Nga 1 nëntori, sipas mediumit, të gjitha shitoret jo të rëndësishme në Belgjikë do të mbyllen, janë ndaluar vizitat në shtëpi, si dhe të gjitha daljet nga shtëpitë, vetëm për raste të blerjes, nevojës së posaçme ose për punë.
Kufijtë e jashtëm të Belgjikës gjithashtu po mbyllen për të gjitha udhëtimet, përveç ato që janë të nevojshme dhe paralajmërohen kontrolle të përforcuara policore. Të gjitha baret dhe kafenetë në vend janë tashmë të mbyllura në tetor, maskat janë të obligueshme gjithkund në hapësirat publike, ndërsa ora policore është në fuqi prej orës 22 deri në orën 6 në mëngjes.
Është i ndaluar grumbullimi i më shumë se katër personave, ndërsa të gjitha objektet sportive dhe kulturore janë mbyllur. Gjatë dy javëve të fundit, Belgjika shënon numrin më të madh të personave të infektuar në 100 mijë banorë në Evropë dhe shkallën e dytë më të lartë të vdekshmërisë në vend.