Shkup, 15 tetor – Tome Axhiev, ish kryetar i Komisionit për lustrim, të hënën është paraqitur për intervistim në zyrat e Prokurorisë Speciale Publike. Prezenca e Axhievit në PSP mendohet të jetë në cilësinë e të dyshuarit për lëndën “I forti”, ku i dyshuar kryesor është deputeti aktual i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshevski. Më 18 mars të këtij viti, PSP njoftoi se ka hapur lëndë hetimore kundër Milloshevskit, babait të tij, një ish-kryetari të Makedonski Brodit dhe 11 personave tjerë.
Në rastin “I forti”, Milloshevski dyshohet se të afërmve të tij, për çmime të ulëta u ka mundësuar blerjen e një prone shtetërore. Gjatë prezantimi të rastit, nga PSP mes tjerash atëherë njoftuan se Këshilli i Komunës së Makedonski Brodit është hutuar dhe në këtë mënyrë është shitur një pronë, vlera e të cilit në vitin 2011 ka arritur 50 mijë euro.
Ndryshe, rasti për të cilën është ftuar Axhiev në PSP thuhet se ka të bëjë me fuqinë e Milloshevskit si deputet, i cili në njërën prej “bombave” që i posedon Prokuroria Speciale, dëgjohet se si deputeti në fjalë i urdhëron kryetarit të Komisionit për lustrim hetimin e një gjykatësi nga Kërcova, me çka ai e pranon udhëzimin.