Pas shpalljes së Shqipërisë në listën gri të vendeve me risk për pastrim të parave, pjesë e deklarimit të pasurisë janë shtuar edhe ambasadorët dhe përfaqësuesit tanë jashtë vendit. Deklarimin e të ardhurave do ta bëjnë edhe familjarët e tyre.

Edhe ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë që përfaqësojnë vendin tonë në selitë diplomatike jashtë vendit do të jenë objekt i deklarimit të pasurive.

Saktësimi në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, vjen pasi Shqipëria hyri sërish në listën gri të vendeve me risk pastrim parash në shkurt të vitit 2020 dhe aktualisht është në monitorim të zgjeruar.

Advertisements

Në relacionin që shoqëron draftin thuhet se të detyruar për të deklaruar pasuritë do të jenë edhe anëtarët e familjes të personit të ekspozuar politikisht.

Në këtë grup do të përfshihen bashkëshorti ose bashkëjetuesi i tij, fëmijët e tyre si dhe prindërit e personit në fjalë.

Listës së subjekteve që i nënshtrohen këtij ligji është shtuar dhe një pikë në nenin 3 e cila sanksionon se agjentët e pasurive të paluajtshme nuk do të raportojnë vetëm kur bëjnë shitje apo blerje por edhe kur realizohet një marrëdhënie qiraje.

Për herë të fundit, vendi ynë kishte dalë nga lista gri e vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave në vitin 2015 por u rikthye në këtë listë për shkak të defiçencave strategjike të gjetura nga Task Forca për Veprim Financiar.

Moneyval u kishte dhënë një paralajmërim autoriteteve shqiptare edhe në fund të vitit 2018.

Në një raport të asaj kohe bëhej thirrje që të shtohen përpjekjet në ndjekjen e pastruesve të parave dhe konfiskimin e aseteve të tyre, të lidhura me aktivitete të paligjshme.