Shkup, 23 shkurt – Për rreth 5.500 familje është rritur numri i shfrytëzuesve të të ardhurave të garantuara minimale ose të ashtuquajtur ndihmë sociale që nga fillimi i pandemisë deri në fund të vitit të kaluar.
“Të ardhurat e garantuara minimale paraqesin pasqyrë të mbështetjes dhe ndihmës financiare të cilën e marrin familjet në rrezik social. Para fillimit të pandemisë 27 mijë amvisëri ishin në sistemin e pranuesve të ndihmës së garantuar minimale, duke pasur parasysh atë që pandemia shkaktoi jo vetëm krizë shëndetësore, por edhe ekonomike te ne dhe në botë ne u kujdesëm me sjelljen e vendimeve ligjore ta lehtësojmë qasjen në këtë ndihmë përmes lëshimit të kritereve për hyrje në sistemin e ndihmës sociale”, deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas nënshkrimit të marrëveshjeve për grant me komuna për zhvillim të shërbimeve sociale.
Sipas të dhënave të pagesës së dhjetorit, sqaroi Shahpaska, 32.500 familje ishin në sistemin e pranuesve të ndihmës së garantuar minimale, ndërsa ato, siç tha, janë edhe 5.500 familje shtesë të cilat kanë hyrë në këtë sistem që nga fillimi i pandemisë.
Kjo, theksoi ajo, ka të bëjë jo vetëm me përkeqësimin e gjendjes, por edhe lehtësimin e kritereve për hyrje të familjeve, sepse, siç theksoi, Qeveria është e vetëdijshme se sa janë të nevojshme këto mjete për familjet që sa më lehtë ta kalojnë krizën.