Zejnulla VESELI
Shkup, 3 mars – Deri më 15 mars, qytetarët e Shkupit, por dhe ata që janë nga qytetet tjera dhe përkohësisht punojnë apo jetojnë në Shkup, tatimet mund t’i paraqesin te Drejtoria për tatimpaguesit e mëdhenj, shkruan gazeta KOHA. Aplikacionet për paraqitjen e tatimit mund të dorëzohen te Zyra rajonale në Shkup dhe në sportelin për tatime në Çair, apo edhe përmes postës dhe në formë elektronike.
Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) këtë vit pret mbi 400.000 qytetarë të paraqesin të ardhurat e vitit të kaluar, kurse deri të hënën janë dorëzuar 140.000 fletëparaqitje tatimore.
Aplikacionin e tatimit e plotësojnë qytetarët të cilët, përveç të ardhurave nga paga ose pensioni, kanë dhe të ardhura shtesë mbi baza tjera. DAP thekson se pensionistët të cilët kanë të ardhurat nga dividendat, të ardhura nga qiraja apo shërbime tjera, në aplikacionin vjetor duhet të tregojnë dhe pensionin, ndërsa të dhënat për pagesat, gjegjësisht llogaritja e pensionit vjetor bruto, kontributet sociale dhe tatimi personal, duhet t’i sigurojnë nga Fondi për sigurim pensional dhe invalidor, kurse duhet të paraqiten dhe tatimet nga puna përmes Internetit.
“Në paraqitjen e taksave vjetore, përveç të ardhurave të tjera të realizuara, obligim është të tregoni edhe shumën e kompensimit të pagës për pushimin e lindjes. Të dhënat për pagesat, gjegjësisht llogaritja e pushimit vjetor të lindjes, kontributet sociale dhe të ardhurat tatimore, duhet t’i siguroni nga Fondi për sigurim shëndetësor”, njoftojnë për KOHA nga DAP.
Shumën e marrë për fëmijë të tretë të cilën e paguan Ministria e Punës dhe Politikës Sociale prindërit nuk e kanë obligim ta paraqesin, sepse për të ardhurat për ndihmë dhe mbrojtje sociale nuk paguhet tatim mbi të ardhurat personale. Të gjitha fitimet në lojëra të fatit të cilët janë më të mëdha se 5.000 denarë, duhet të paraqiten. Edhe ata të cilët përveç pagës, vitin e kaluar kanë marrë regres për pushim vjetor, duhet t’i paraqesin tatimet.
Qytetarët të cilët gjatë vitit 2016 kanë dhënë banesa me qira, shtëpia apo pasuri të patundshme të tjera, edhe pse kanë dorëzuar pagesë paraprake dhe kanë paguar tatimi mbi të ardhurat personale, megjithatë e kanë obligim ta paraqesin qiranë dhe tatimet.
“Mos harroni, në qoftë se pavarësisht nga të ardhurat prej qirasë keni realizuar edhe të ardhura tjera, edhe ato e keni obligim t’i paraqitni në raportin vjetor për tatimin”, thonë nga DAP.
Kur në një kompani në të cilën qytetari nuk punon i ka paguar avio-bilet dhe akomodimi në hotel për persona të cilët nuk janë të punësuar në firmë, edhe kjo i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat personale, sepse të njejtat janë të ardhura personale të personit fizik. Për të ardhurat e paguara, kompania ka obligim të llogarisë dhe të paguajë tatimin mbi të ardhurat personale t’ju jep kopje të llogaritjes, ndërsa ju si qytetarë keni obligim t’i paraqitni në deklaratën vjetore të të ardhurave”, sqarojnë nga DAP. Honorari i vullnetarëve paguhet kryesisht në lartësi deri 15 për qind nga paga mesatare mujore në Maqedoni e paguar për vitin e kaluar në përputhje me Ligjin për Vullnetarizëm, i cili nuk i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat personale dhe nuk duhet t’i paraqesin këto të ardhura. Nuk paraqitet as honorari për pjesëmarrje në organet për zbatimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.