Në ordinancën e dr.Agron Starovës janë vizituar fëmijë edhe të moshës nën 12-vjeç të prekur nga melanoma, ndërsa më shumë janë të diagnostifikuar moshat e mesme dhe të vjetra
Delvina KËRLUKU
Shkup, 27 mars – Rastet e personave të prekur nga kanceri në lëkurë po shënojnë rritje. Vetëm në pesë muajt e parë të vitit të kaluar janë regjistruar 500 raste të pacientëve të diagnostifikuar me “melanomë malinje”. Maje, specialistët thonë se kanceri i lëkurës po prek edhe moshat e reja, gjë që deri pak vitesh më parë, kanë qenë raste të rralla, shkruan gazeta KOHA. Dermatologu Agron Starova thotë se fillet e kësaj sëmundje vijnë nga djegia e diellit dhe është një ndër shkaktarët kryesore të melanomës, por nuk e përjashton faktin se edhe të trashëgimisë. Megjithatë, nëse diagnostikohet me kohë, shanset e shërimit janë të suksesshme.
“Shkaqet e kësaj sëmundje vijnë si rezultat i rrezeve të dëmshme të diellit, ku edhe paraqitet karcinomi në lëkurë, por edhe në bazë gjenetike. Më e pranishmë te pacientët është lloji ‘karcinoma basocellulare’, e cila është më pak e rrezikshme. Ky lloj tumori nuk metastazon. Por, ne rekomandojmë kontroll të menjëhershëm dhe përmes aparatit dermoskopik, mund të vërtetojmë karcinomin, por ndonjëherë bëjmë edhe biopsinë”, tha për gazetën KOHA, dr. Starova.
Sipas dermatologut, ka disa lloje të sëmundjeve të lëkurës dhe të gjitha kërkojnë trajtime të veçanta. Në ordinancën e tij ka fëmijë të moshës madje nën 12-vjeç, por që janë prekur nga melanoma, ndërsa më shumë janë të diagnostifikuar moshat e mesme dhe të vjetra.
“Diagnoza te këta pacientë duhet të nxirret sa më herët. Ne kemi rastin e melanomit që është një prej karcinomeve, dhe mjekimi është qind për qind i suksesshëm nëse është me madhësi deri në 6 milimetra. Edhe kur e kemi këtë madhësi, ne bëjmë ndërhyrje kirurgjikale dhe rezultatet janë shumë më të mira”, tha Starova.
Sa i përket tatuve (vizatimeve në trup), që përdorin shumë të rinj, Starova thotë se nuk krijon pasoja të rënda ngacmimi të lëkurës, por mund të ndikojë në dëmtimin e lëkurës, e cilat edhe mund të ndryshojë ngjyrën e lëkurës, të paraqitet kontaktdermatitis dhe dëme tjera të vogla.
Dermatologu i njohur botëror, bullgari Nikolai Cankov, i cili ishte edhe pjesë e simpoziumit shkencor “Dermatologjia 2020”, që u zhvillua në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, thotë se gjenerata e re duhet të bëjë kujdes dhe t’u shmangen tatuve. “Ka edhe shembuj të kancerit, kur një tatu krijon një majë grethe. Por, në përgjithësi, megjithëse kjo nuk e shkakton kancerin, ka shumë raste të transmetimit të sifilizit, sëmundjeve virale, sidomos në të kaluarën, kur në tatu njerëzit përdornin pështymën e tyre për të holluar ngjyrën dhe nëse ata ishin të sëmurë me një sëmundje, transfererohej te klienti”, thotë dr. Cankov, ndërsa potencon se shkencëtarët po bëjnë përparim në hulumtim që të zbulojnë ilaçet për të gjetur shërimin e pacientëve të diagnostifikuar nga melanoma malinje.
Dermatologët apelojnë që pacientët të paraqiten tek mjeku menjëherë sapo të vërejnë nishanet e ashtuquajtura “pigmentoze” dhe t’i vëzhgojnë me saktësi. Po që se konstatohen ndryshime në nishane, ato duhen mjekuar menjëherë. (koha.mk)