Edgar Allan Poe, biografia e një shkrimtari misterioz

Edgar Allan Poe është një nga gjenitë më të mëdhenj të letërsisë botërore. Rreth jetës së tij tejet të pazakontë, kanë lindur jo pak mite dhe legjenda, të cilat kanë tentuar ta lënë në hije vlerën e madhe të veprës së tij. Ai ishte një tregimtar i jashtëzakonshëm, i talentuar dhe menjë krijimtari të bollshme.

Pas vdekjes së tij, gjinia e thrillerit nuk ishte më e njëjta. Ky shkrimtar i madh amerikan konsiderohet si shpikësi i zhanrit të romanit thriller. Po ashtu ai ishte një novator i madh i letërsisë gotike, dhe i dha zhanrit horror një element psikologjik shumë të rafinuar.

“Unë nuk kam besim tek përsosmëria e qenies njerëzore. Njeriu tani është më aktiv, por jo më i lumtur, as më inteligjent nga sa ishte 6000 vjet më parë”- do të shprehej në një rast shkrimtari amerikan. Poe pati një jetë të karakterizuar nga përvoja të vështira, madje edhe tragjike.

Advertisements

Disa kritikë kanë qenë të interesuar ta përshkruajnë atë si një njeri të shthurur dhe me një jetë çrregullt. Dhe pjesërisht ia arritën qëllimit. Por edhe pse ai nuk ishte sigurisht model i një njeriut me një jetë të ekuilibruar, nga ana tjetër nuk ishte as qenia monstruoze që ata pretendonin t’u tregonin të tjerëve.

Një fëmijëri e vështirë

Edgar Allan Poe lindi në Boston të SHBA-së më 19 janar 1809. Prindërit e tij ishin aktorë shëtitës. Ata vdiqën kur Edgar ishte vetëm 2 vjeç. Ai dhe dy vëllezërit e tij u birësuan nga familje të ndryshme. Kështu Edgar u adoptua nga John Allan, një biznesmen i pasur, i cili e mirëpriti atë në shtëpi i nxitur nga një shpirt bamirësie.

Vdekja e nënës dhe marrëdhënia traumatike që kishte me njerkun e tij ishin tema të përsëritura në jetën e tij dhe veprat e tij. Me familjen e tij birësuese ai jetoi për disa vite në Angli dhe Skoci. Duket se pikërisht nga ato përvoja e ka burimin edhe atmosferën gotike që është aq tipike në veprën e tij. Më vonë, ata u rikthyen në Shtetet e Bashkuara, ku Poestudioi në shkollat më të mira.

Një rini e turbullt

Shkrimet më të hershme të Poe datojnë që kur ai ishte 14 vjeç. Në atë kohë, ai u dashurua marrëzisht me nënën e njërit prej shokëve të tij të klasës. Ajo dashuri platonike zgjati derisa ajo vdiq papritur. Në rininë e tij, ai ishte një sportist i talentuar dhe një astronom i pasionuar,edhe pse në nivele amatore.

Ai studioi për gjuhë në Universitetin e Virxhinias. Atje u bë i varur nga bixhozi dhe alkooli, gjë që solli edhe dëbimin e tij. Njerku e punësoi si punonjës në një nga kompanitë e tij, por kjo nuk zgjati shumë. Në vitin 1827 ai botoi fshehurazi librin e tij të parë “Tamerlani dhe poezi të tjera”.

Më vonë shkoi në ushtri, ku qëndroi për dy vjet. Më vonë, njerku e ndihmoi të gjente një punë të re, por sërish u pushua nga puna. Ndërkohë botoi edhe dy libra të tjerë me poezi. Në vitin 1832 u transferua në Baltimora ku u martua me kushërirën e tij 13-vjeçare.

Një shkrimtar i mallkuar

Edgar Allan Poe u largua nga prindërit e tij birësues. Për të mbijetuar, nisi të punonte për disa gazeta, duke shkruar artikuj kritikë mbi artin. Stili i tij i veçantë i dha njëfarë fame. Ndërkohë vazhdoi të botonte veprat e tij. “Bulkthi i artë”, “Korbi”, dhe poezi të tjera hynë në analet e historisë së letërsisë.

Gruaja e tij e re vdiq nga tuberkulozi në vitin 1847. Ajo ngjarje e forcoi varësinë e Poe ndaj alkoolit dhe drogës. Thuhet se në të njëjtën kohë ai filloi të konsumonte laudanum, një opioidi fortë dhe të vuante nga problemet e para shëndetësore.

Nisi të kërkonte plot ankth një bashkëshorte të re. Kaloi nga një marrëdhënie në tjetrën pa konkretizuar asgjë. Thuhet se në atë kohë ai tentoi edhe vetëvrasjen me laudanum, por pati të vjella të forta, dhe kjo e pengoi aktin ekstrem.

Vitet e fundit

Në ato vite ai rifilloi të takohej me një grua, me të cilën dikur në rini kishte pasur një lidhje kalimtare:Sarah Elmira Royster. Midis të dyve u ndez sërish flaka e pasionit, dhe ata vendosën të martoheshin më 17 shtator 1849. Megjithatë, pak pas dasmës, shkrimtari u zhduk në mënyrë misterioze.

Ai u gjet në rrugë më 3 tetor, në gjendje të përhumbur, dhe i veshur me rroba të tjera. Një nga miqtë e tij e çoi menjëherë në spital, ku vdiq më 7 tetor. Nuk mund të mos e dimë kurrë se çfarë ndodhi në ditët e asaj zhdukjeje të çuditshme. Edhe rezultatet e autopsisë janë zhdukur. Ndaj ende sot nuk dihet shkaku i saktë i vdekjes së tij. Gjithsesi, mund të thuhet me siguri se vepra e Poe, kaq prekëse, e fuqishme dhe e thellë, ka ndikuar tek të gjithë shkrimtarët e mëdhenj që e kanë pasuar.