Ecja është aktiviteti më i thjeshtë fizik, por shpesh dimë që t’i nënçmojmë përfitimet nga ecja. Në vend se një orë në ditë të kaloni para kompjuterit, në celular ose duke parë televizion, këtë kohë shfrytëzojeni për të ecur, meqë në këtë mënyrë do ta ulni rrezikun nga paraqitja e disa sëmundjeve, do t’i forconi dukshëm eshtrat dhe do ta përmirësoni qarkullimin e gjakut.
Ecja rekomandohet veçanërisht tek njerëzit me peshë më të madhe trupore, meqë i djeg yndyrat, i zbut toksinat dhe e ul nivelin e kolesterolit në gjak.
Ecja përveç asaj që ka rol të rëndësishëm në shëndetin fizik, ajo e përmirëson edhe shëndetin mental te njeriu, e ul stresin, e zvogëlon depresionin dhe i ndihmon njeriut që të relaksohet.
Ecni të paktën një orë në ditë
Mjekët rekomandojnë që ecja gjatë ditës të mos jetë më pak se një orë dhe ta praktikojnë të gjithë njerëzit pa dallim se cilës grupmoshe i takojnë.
Shprehen se periudha më e mirë për ecje është në orët e mbrëmjes para fjetjes, meqë e relakson trupin dhe na mundëson gjumë të rehatshëm.
Por, gjithsesi edhe ecja gjatë ditës është gjithashtu shumë e rëndësishme, kështu që në vend se sërish të uleni në makinën tuaj praktikoni që të shkoni në këmbë në punë. Në këtë mënyrë do të kthjelloheni, do të shpenzoni kalori dhe do ta forconi trupin. Nëse punoni më larg se vendbanimi juaj, atëherë shkoni me autobus, në këtë mënyrë do të keni rrugë për të ecur deri te dhe nga stacioni i autobusit. Për këtë aktivitet fizik mund të shfrytëzoni edhe vendin e punës, kështu që në vend se me ashensor, ecni nëpër shkallë ose për obligime më të vogla në qytet, në vend të makinës përdorni këmbët tuaja.
Teknika për ecje më të gjatë
Njëra prej teknikave për ecje më të gjatë është të keni pasqyrë për atë se sa hapa i bëni. Mund të furnizoheni me pedometër dhe për çdo ditë të bëni më shumë hapa.
Sipas ekspertëve, mjafton që për çdo ditë të bëni 10.000 hapa për t’u dobësuar, ndërsa për këtë ju nevojitet rreth një orë.
Në këtë shifër numërohen edhe hapat që i bëni gjatë tërë ditës, ecja nëpër shtëpi, deri te dyqani, loja me fëmijë në park, shëtitja e kanakarëve shtëpiakë…
Si të ecni në mënyrën e duhur?
Profesoresha e sportit dhe aktiviteteve sportive Zhana Palevski shprehet se rregulli i parë i ecjes ka të bëjë me kondicionin, e kjo do të thotë se duhet doemos të ecni shpejt, por me këtë rast të mos mbeteni pa frymë. Qëllimi i ecjes, siç tregon ajo, nuk është që të mbusheni me frymë dhe të lodheni, por që të lëvizni në mënyrë të drejtë dhe të koordinuar në kuadër të aftësive tuaja.
– Është shumë e rëndësishme që të ecim në mënyrën e duhur. Kjo nënkupton pozitën e drejtë të trupit, gjegjësisht të mbahet shpina e drejtuar, koka lart, supet të liruara, ndërsa shputat të jenë të vendosura paralelisht. Duart të jenë të lakuara pak në bërrylat, në tokë të lëshohet së pari thembra, e më pas shputa dhe të mos shikohet poshtë, por tre katër metra para vetes. Kur ecni mbani veshje dhe mbathje komode, merrni me vete edhe një shishe ujë dhe pini gllënjka të vogla, ndërsa pas ecjes zgjatuni mirë, shprehet Palevski.
Për ecjen rekreative më të përshtatshme janë shtigjet e pyjeve ose shtigjet e parqeve. Në natyrë do të ndjeheni më të relaksuar. Do të merrni ajër të pastër, që në çdo rast do t’ju ndihmojë të tejkaloni më lehtë disa momente stresuese dhe të tendosura që, fatkeqësisht janë pjesë e përditshmërisë sonë.
” Mendoj se është më së mirë që secili të “dëgjojë” trupin, të mos sforcohet, të ecë, të ngjitet nëpër male ose të ngasë biçikletë aq sa mundet, sa ia lejon kondicioni. Nëse nga ana tjetër nuk ka shprehi të tillë, asnjëherë nuk është vonë, shprehet shkupjania Lena Hristova, e cila çdo moment të lirë e shfrytëzon për të ecur.
Gëzon fakti, bën të ditur ajo, që gjithnjë e më shumë persona të moshuar, por edhe shumë fëmijë nga mosha e hershme shkollore mund të takohen nëpër shtigjet e Vodnos, se si shkojnë deri në Vodnon e Mesme, e disa edhe deri në majën e malit.
“Kjo tregon se ngadalë po ndryshon mënyra e jetës dhe gjithnjë e më shumë po kuptohet nevoja për rekreacion, pavarësisht për çfarë llojit të “sportit” bëhet fjalë, shprehet Hristova.
Por, nuk duhet të prisni që të ndodhë çudi vetëm pas një dite ecjeje, por është e sigurt se përfitimet do t’i vëreni më vonë në jetë. Prandaj, asnjëherë nuk është vonë që të filloni të ecni.