Ai është një talent që krijon muzikë. Ebrar Mazhar nga Gostivari, një emër që tashmë ka depërtuar në botën e muzikës shqiptare e që po shpërthen dita ditës. Studio e tij tashmë po vërshohet nga emrat e njohur të skenës, ndërsa këtë herë e sjellim në një version ndryshe ku tregon punën e tij, pasionin ndaj muzikës dhe shumë gjëra tjera të cilat nuk i keni ditur
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Jeni një artist dhe një kompozitor i njohur në trojet shqiptare, si lindi pasioni juaj për muzikën?
Që në moshë të re, pra flasim për periudhën e fëmijërisë time, ekzistonte dëshira për muzikën, më pas me punë të palodhshme dhe me angazhim maksimal për këtë profesion arritjet e mia rriteshin me hapa te ngadalshëm por gjithnjë e më të sigurt duke u bërë kështu dhe pasion i imi.
KOHA: Në familjen tuaj, ndonjë pjesëtar tjetër i familjes kishte raporte me muzikën?
Talenti im për muzikë në fakt është trashëgim nga babai im, në rininë e tij ai ka qenë kitarist.
KOHA: Ndërsa tash në familje merret dikush me muzikë, planifikon ndonjë nga fëmijët t’u të bëhen këngëtarë?
Në të ardhmen, nga ana ime si prind fëmijët e mi nuk do të kenë aspak imponim në profesion, zgjedhja do të jetë totalisht e tyre por nëse duan të merren me muzikë absolutisht do ta kenë përkrahjen time për arritjet e tyre profesionale dhe jo vetëm.
KOHA: Ç’do të thotë për një baba muzikant, të dallojë që fëmija e tij që në vogëli, ndan ashtu si ai vetë, prirje të ngjashme për muzikën?
Për çfarëdo lloj fushe të kesh talent është dhunti nga Zoti. Për të dhënë një përgjigje të saktë mbi këtë pyetje nuk jam njeriu kompetent për shkak se ende nuk e gëzoj statusin e prindit.
KOHA: Ndërmjet ushtrimit të një instrumenti dhe kompozimit, cili është ndryshimi emocional midis tyre?
Arti muzikor në përgjithësi është një art shumë kompleks, pra të gjitha fushat e muzikës shkojnë në paralel me njëra-tjetrën. Të luash në një instrument të caktuar tregon aftësitë tua, virtuozitetin tënd ndërsa të kompozosh i gjithë ky proces tregon shpirtin tënd prej artisti!
KOHA: Në ç’pozicion do t’i vendosnit këto koncepte në lidhje me muzikën tuaj dhe me mënyrën tuaj të të punuarit?
Çdo njeri në profesion të vet ka mënyrat e tij punuese. Do të ishte absurde që vlerësimin e punës time ta bëja unë, me gjithë atë, ajo që kam synim profesional është që masës t’i servohet diçka e bukur artistike!
KOHA: Në kohën e sotme, cilat janë gjendja dhe niveli i formimit muzikor? Në çfarë mase, sistemi shkollor shqiptar nxit të mësuarit e muzikës?
Në vendin tonë mundësitë për formim artistik fatkeqësisht janë të pakta. Nuk e kemi përkrahjen e duhur nga asnjë institucion përkatës. Çdo gjë që ne kemi arritur është falë punës dhe mundit tonë personal, shkollimi pastaj është një çështje tjetër diskutimi!
KOHA: Sa mundësi punësimi ka sot tek ne për të rinjtë e sapodiplomuar, veçanërisht në fushën artistike e muzikore?
Jo vetëm për muzikë por për çdo lëmi të studiuar problematikë e jashtëzakonshme është punësimi në profesionin përkatës. Një pjesë e madhe e tyre punojnë punë nga më të ndryshmet dhe është e dhimbshme kur shikon që gjithë mundi shumëvjeçar studimi të mohohet për arsye banale, arsye që veçmë janë të ditura!
KOHA: Trashëgimia muzikore shqiptare dhe zhvillimi i shoqërisë shqiptare. Cili është ritmi me të cilin ecin paralelisht këto dy fenomene?
Për mendimin tim, po flas nga aspekti muzikor, muzika e mirëfilltë shqiptare dukshëm po e humb vlerën që ka. Shumica e artistëve shqiptar po e “keqtrajtojnë” (thënë kështu kushtimisht) muzikën e pastër shqipe, po kultivojnë shumë antivlera, pa çka se muzika shqipe njihet ndërkombëtarisht për vlerat muzikore. Shembull konkret e kemi muzikën polifonike shqiptare që është nën sigurimin e UNESCO-s.
KOHA: Cili është kompozitori apo artisti – shqiptar ose i huaj që adhuroni në mënyrë të veçantë?
Jam rritur me këngët e “The King of Pop” – Michael Jackson-it. Frymëzim dhe inspirim për mua janë këngët e tij të pavdekshme.
KOHA: Kur perceptoni që muzika nuk është e ndjekur për pasion, por për qëllime të tjera, cili është reagimi juaj dhe ç’këshillë do t’u jepnit të rinjve të sotëm, atyre që kanë ndërmend të nisin rrugën e artit, atë të muzikës në veçanti?
Ndiqni ëndrrat e juaja, ushtroni me çdo kusht profesionin tuaj, pasionin tuaj, dëshirat e juaja, punoni fuqishëm dhe suksesi gjithsesi do të vijë natyrshëm pavarësisht peripetive dhe vështirësive që do të hasni gjatë rrugëtimit të formimit artistik. Me punë arrihet gjithçka!
KOHA: Përveç muzikës, cilave pasione të tjerë u jepni prioritet në jetën tuaj?
Përveç punës ne studio, “Gem Production” vjen edhe me një videoproduksion profesional ku momentalisht jam në fazën avancimit edhe të kësaj pjese po ashtu shumë e rëndësishme e imja.
KOHA: Cilat janë projektet e juaja të ardhshme profesionale?
Momentalisht jam drejt përfundimit të shumë projekteve që do të publikohen së shpejti ndërsa sa ju përket projekteve të ardhshme kam disa plane që besoj dhe shpresoj shumë që do të realizohen dhe do të bëhen publike për një kohë të shkurtër.
KOHA: A ka ndodhur ndonjëherë që të bësh gati komplet projektin muzikor dhe këngëtarë të ju refuzojë?
Fatmirësisht nuk më ka ndodhur deri sot një gjë e tillë dhe besoj që nuk ka për të ndodhur asnjëherë për arsyen e vetme se çdo projekt që punoj e bëj me shumë pasion.