Detabuizimi i të vërtetës për shqiptarët ortodoksë, sot, me keqardhje mund të themi se ka vetëm një efekt: është halë në sy atyre qarqeve nacionaliste maqedonase, që vazhdimisht e zvogëlojnë përqindjen e shqiptarëve, sikur për t’iu thënë “shikoni veten, sepse kushedi sa për qind më pak do të ishit edhe ju pa këtë përzierje gjaku nga këta shqiptarët e Josif Bagerit”!
Nga Daut DAUTI
“Rrugëtimet e mia”. Një titull i bukur ky i librit të kolegut, Alush Kamberi, që doli nga shtypi këto ditë. E çmoj lartë kontributin profesional të tij në gazetarinë televizive ndër ne, jo pse ka qenë në “celulën” e parë të redaksisë së emisioneve në gjuhën shqipe në Televizionin e Shkupit, por ngase kur përmendet kjo redaksi, menjëherë të shkon mendja te disa emra që kanë lënë më së shumti gjurmë, në mesin e të cilëve, gjithsesi vend të merituar ka edhe ai. Atij, i ka rënë hise ta trasojë rrugën e gjatë e të mundimshme nëpër labirintet e kohës politike, ideologjike e të sfidave profesionale. Edhe sot, në frymën e një profesionisti të mirëfilltë, pena e tij nuk pushon, kamera e tij nuk është mbyllur, sepse syri i mprehtë prej reporteri vazhdon “të gjuajë” jetën në plotësinë e saj, këmbët e tij vazhdojnë të shtegtojnë pas temave të reja në hapësira të pagjurmuara të botës shqiptare.
Libri “Rrugëtimet e mia”, përfshin dhjetëra reportazhe, udhëpërshkrime e skica për njerëz që Alush Kamberi i ka takuar nga udhëtimet nëpër vende që tërheqin vëmendjen, por dhe për gjërat që vetëm syri i mprehtë i një reporteri lucid mund t’i kapë. Ky libër, pra, nuk është një nga 400 e përtej dokumentarëve e reportazheve televizive sa i ka realizuar Alushi, por shkëputje e ndonjë momenti prej udhëtimeve të tij të viteve të fundit përjetësuar edhe në faqe të përbotshme libri. Dhe ia ka dalë me shumë sukses, për kënaqësinë e lexuesve. Unë vetë i kam pasur për qejf reportazhet dhe skicat, sepse që nga bankat shkollore më joshnin reportazhet e të pakalueshmit Ramiz Kelmendi, ose pastaj si student duke lexuar reportazhe të Teki Dervishit, Resul Shabanit, Rexhep Zllatkut, Behlul Jasharit apo përsiatje të Nexhat Halimit a të ndonjë autori tjetër, të cilët vokacionin e tyre prej letrari në njërën anë dhe profesionisti prej gazetari, në anën tjetër, e shkrinin te ky zhanër, “në mes” letërsisë dhe gazetarisë.
* * *
Ky libër i Alush Kamberit më dha një shkas për t’iu kthyer një të vërtete të hidhur. Sepse libri hapet me reportazhin(apo skicën për portret, si të doni) për “NJERIUN QË IU KTHYE RRËNJËS”(titull), pra, për një bashkëvendës të Josip Bagerit nga Reka e Epërme, për “Xha Brankon” tashmë të njohur(Branko Manojllovski, deputet), i cili edhe pse i migruar në Amerikë, çdo vit ka ardhur të kalojë verën në shtëpinë e braktisur familjare në Kiçinicë. Motivi i vendlindjes, natyrisht, është motiv i përjetshëm te shqiptarët, duke qenë të shpërndarë që nga Turqia, Evropa, Amerika e gjer në Australi, gjithnjë duke e mbajtur në shpirt mallin për tokën e vendlindjes, me një shpresë të përjetshme për një kthim herdokurdo…Por, ajo që e bën të veçantë këtë rrëfim është njohja e autorit me xha Brankon, që ndodh në përpjekjet për të bërë diçka për shqiptarët ortodoksë të Rekës. Problemi ka qenë se si të gjejë ndonjë bashkëbisedues rekali që do të fliste në gjuhën e ëmës, që do të fliste për identitetin e vet, për një të vërtetë “të njohur” publikisht, por të heshtur në shumë mënyra. Sepse, “pasivizimi” i të vërtetës së tyre nga koha e regjimit komunist, do të vazhdojë edhe në periudhën e pluralizmit demokratik si një paradoks.
Por, në këtë heshtje ka dhe një aspekt plotësues të ndjeshmërisë: frika që të mos vihen në pozitë të rëndë që të flasin për identitetin e tyre ata që shoqëria i njeh si “të tjerë”! Të çlirosh dikë nga frika që frikën ia kanë mbjellë që para në shekulli, në një trysni të vazhdueshme regjimesh të kohës, për të ndryshuar gjuhën dhe vetëdijen e tyre kombëtare, që ka zgjatur deri në ditët e sodit, nuk është lehtë. Nëse demokracia ua ka rikthyer shpresën, kjo nuk do të thotë se ata, të cilët me gjenerata në shtëpitë e tyre kanë futur maqedonizmin, mund lehtë të dalin e të thonë, po, ne jemi shqiptarë. Pikërisht kjo ka qenë sfida, më e madhe se guximi profesional i dikujt që t’i hyjë temës. Alushi e ka bërë këtë përpjekje, edhe duke e pasur parasysh këtë ndjeshmëri dhe ka pritur “momentin”. Dhe ka pasur kujdes që të mos e djegë një qëllim fisnik dhe ka qenë i durueshëm. Miqësia me Xha Brankon që ka zgjatur me vite, dhe sa herë që ka ardhur në vendlindje, ka qenë edhe Alushi në shtëpinë e tij. Ka marrë premtimin se do të flasë një ditë, një ditë kur të mendojë ai se është çasti. Dhe, kështu, një ditë, ai do t’i thotë: do ta bëjmë dokumentarin. Dhe bëhet, ai që e kemi parë, ku Branko Manojlosvki flet në gjuhën e tij dhe për origjinën e tij. Flet në mënyrën për t’i përgënjeshtruar shumë qarqe nacionaliste që këtë të vërtetë kanë dashur ta heshtin për popullatën ortodokse të Rekës së Epërme. Kjo e vërtetë më në fund përmes një rrëfimi, pa doreza, del në shesh.
Dhjetë vjet hamendje, tundim për ta marrë një vendim. Dhjetë vjet “udhëtim” për një të vërtetë personale, por dhe kolektive. Guximi për të folur të vërtetën, ose për t’u përballur me rrënjët etnike të tëhuajësuara ose të përvetësuara, nuk është çështje e lehtë. Sepse është dhe çështje faji, edhe çështje vetëdijesimi të shartuar ndërkohë, nga i cili nuk ka kthim prapa!
* * *
Se nuk ka qenë lehtë të gjendet bashkëbisedues për të folur për shqiptarët ortodoksë, e kishte përjetuar edhe një emër tjetër i gazetarisë televizive, Sefer Musliu. Para shumë vitesh, në vitet 90-të, ai arriti që me regjisorin Afet Miftari të realizojë disa dokumentarë në fshatrat e Rekës së Epërme të gjejë bashkëbisedues që flisnin shqip, edhe ortodoksë, edhe myslimanë, të cilët rrëfenin për origjinën e përbashkët familjare. Vini re: theksi ishte vënë te origjina familjare. Edhe Seferi i ndjerë për shkak të ndjeshmërisë, i ishte ikur pohimit të drejtpërdrejtë se janë shqiptarë. Por, ata që flisnin rrjedhshëm shqip dhe dinin të këndojnë shqip, ishin dëshmia më e madhe për origjinën e tyre. Emisionet qenë emituar, ndërkaq Seferi kishte dashur që ta vazhdojë rrëfimin duke vizituar fshatra tjerë. Kur kishte shkuar herëve tjera, kishte hasur në heshtjen e ftohtë dhe refuzimin e banorëve dhe pengesa policore! Çka kishte ndodhur ndërkohë? A ishte tmerruar “dikush” (nga “lartë”) dhe i kishte “këshilluar” banorët që të mos pranonin gazetarë shqiptarë, apo vetë banorët, të frikësuar se do të vazhdonte rrëfimi për etnitetin e tyre, do të kishin telashe me autoritetet ndaj dhe s’kishin dashur të gjenden para kamerës? Sidoqë të jetë, puna kishte ngecur në mënyrë të çuditshme.
Çështja e ortodoksëve shqiptarë të Maqedonisë është riaktualizuar dhe e ka thyer heshtjen. Kjo është e mira. Emisionet Sefer Musliut dhe Alush Kamberit(me regjisorët Afet Miftarin dhe Faton Musliun) gjatë viteve 90-të e deri para disa vitesh, kanë bërë që të lëvizin gjërat, por jo sa do të duhej: sot ka një shoqatë me emrin e Josfi Bagerit, por që udhëhiqet nga shqiptarë myslimanë, është regjistruar një kishë, por ku nuk ka prift për të bërë meshë në gjuhën shqipe… Xha Branko përmend 300 mijë shqiptarë ortodoksë të asimiluar(ndoshta ka teprim në këtë numër, pasi nuk ka të dhëna zyrtare?). Edhe Brankua tjetër(Sinadinovski), tash së voni, ka marrë hov me disa botime që ta thyejë tabunë e të vërtetës “që vjen vonë”(aludim në titullin e dramës së Teki Dervishi “Eshtrat që vijnë vonë”), përmend dhjetëra mijë shqiptarë, por gjërat nuk lëvizin drejt rizgjimit të mirëfilltë. Në promovimin e librave të Branko Sinadinovskit(i cili rrëfen se në shtëpinë e të jatit, Jakim Sinadinovskit, kur vinin rekalinjtë, flisnin shqip), ose në manifestimet kushtuar Josif Bagerit (në Shkup me iniciativë të BDI-së si parti në pushtet u ngrit edhe busti i tij), mezi mund të vërehet ndonjë shqiptar ortodoks në publik, i cili qëndron anësh dhe nuk del para kamerave televizive(një rast i rrallë është ai i një ortodoksi nga Manastiri).
* * *
Para një viti vdiq edhe poeti Mateja Matevski, emri më i njohur i përfolur për origjinën shqiptare. Nuk ka as maqedonas, as shqiptarë që do ta mohonin origjinën e tij. Por, kur u dekorua nga shteti i Kosovës për kontribut të posaçëm (për zhvillim a bashkëpunim kulturor…), e që në të vërtetë dekorimi ishte për shkak të rrënjëve të tij etnike, para kamerave foli shqip, duke thënë se ngapak e ka harruar gjuhën, por, as atëherë, nuk pati guximin ta thotë të që është shqiptar. Në një akademi përkujtimore në Shoqatën e Shkrimtarëve, gjithë kohën u fol si për një nga bardët e letërsisë maqedonase. E vërtetë e hidhur, por ky është realiteti. Përveçse në kulturë, përmenden dhe shumë personazhe historike në LNÇ-së, ose udhëheqësish të lartë shtetërorë(ndër ta edhe në ditët e sodit), por nuk është shkuar më tutje thashethemeve se janë shqiptarë ortodoksë. Një historian i ynë, duke folur për Josif Bagerin, ndoshta dhe nga indinjata, do të thotë lëreni atë, i biri iu vra duke luftuar në një çetë bullgare, sikur nuk ka shqiptarë të tjerë (myslimanë) që janë vrarë për ndonjë ushtri tjetër të huaj.
Faji? Shkaqet? A mund të nëvlerësohen trysnitë që kanë pasur ortodoksët shqiptarë që nga rënia nën ndikimin e kishës serbe (ndoshta që në Perandorinë Osmane) dhe pastaj edhe nën regjimet serbe e më vonë atë komunist maqedonas? Nuk ka qenë një presion i shkurtër, por i vazhdueshëm dhe kërcënues. Këtë duhet analizuar në kontekst të kohës. Në këtë libër të Alush Kamberit ka edhe një fajësi që një bashkëbisedues shqiptar mysliman, që thotë në mënyrë autokritike: “Edhe ne i kemi fajet, i kemi larguar dhe mbajmë raporte të ftohta. Të gjithë e dimë se ata janë kushërinjtë tanë, madje edhe gjak të një familje, por sikur nuk na brengos kjo” për të vazhduar: “Nganjëherë na vjen inat se pse na e kanë kthyer shpinën dhe ikin nga kombi i tyre, kurse ata na bëjnë fajtorë neve, sepse kemi mbetur si të shkretë, nuk na përkrah asnjëra palë. Prandaj kështu na thonë të gjithëve, shkretë”.
Kjo çështja e (bashkë)fajësisëmë kujtohet një copëz rrëfimi të Ramadan Çilkut, dibranit i cili jetoi në Bashkimin Sovjetik gjer në vdekje. Ky dibran rrëfente se si kur kishte shkuar brigada e tij në këto fshatrat shqiptare ortodokse, kishte dalë një grua dhe duke e përqafuar ia kishte dhënë një palë çorapë. Ai ia kishte kujtuar gruas djalin që ia kishin vrarë çetat e Xhemës kur kishin kaluar këndej. Një lëvizje patriotike si ajo e Ballit, këndej, i kishte trajtuar këta shqiptarë si “shkije”! Kam dëgjuar ose lexuar të thuhet se mirë e kanë pasë, sepse kanë qenë me partizanët(sikur shqiptarë myslimanë nuk kanë luftuar!). Një ndasi ideologjiko-fetare ka marrë përmasa të urrejtjes, gjë që sigurisht nuk ka qenë pa ndikim në procesin e largimit nga rrënjët.
Detabuizimi i të vërtetës për shqiptarët ortodoksë, sot, me keqardhje mund të themi se ka vetëm një efekt: është halë në sy atyre qarqeve nacionaliste maqedonase, që janë të preokupuara me elementin shqiptar, të cilët “i numërojnë” shqiptarët dhe vazhdimisht e zvogëlojnë përqindjen e tyre, që flasin për shqiptarët ardhacakë dhe lëvizjet migrative si tendencë politike(150.000 kosovarë). Si për t’u thënë: Ju që flisni për ne shqiptarët, shikoni veten, sepse edhe ju keni jo pak gjak shqiptarësh që i keni asimiluar dhe kushedi sa për qind më pak do të ishit edhe ju pa këtë përzierje gjaku nga këta 300 mijë shqiptarët e Branko Manojllovskit e Josif Bagerit!
Ja, ky do të ishte efekti politik, por dhe për shkencën, natyrisht. Sa për ngushëllim.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)