Tani mbetet deri më 8 dhjetor të shihet nëse Bullgaria do të vijojë të kërkojë koncesione emocionale që nuk arrihen pa komunikim, ose do të ndikojë në përafrimin mes njerëzve nëpërmjet miqësisë. Historia ka treguar se kjo e dyta sjell stabilitet dhe afrim afatgjatë
Nga Nazim RASHIDI
Integrimet evropiane përherë kanë pasur dy rrugë, ajo e zhvillimit të brendshëm, e evropianizimit të shoqërisë dhe rruga tjetër ajo e reformave dhe standardeve që kërkon Bashkimi, pra ajo bashkësi vendesh të Evropës që kanë caktuar rregulla dhe procedura, se si të bëhesh pjesë e saj e që të gjithë e njohim si Bashkimi Evropian. E theksoj këtë moment, sepse me momentet kur po shfaqen sërish ngecje në rrugën e integrimeve, Maqedonia e Veriut, njerëzit e saj ndeshen edhe me një zhgënjim të radhës, i cili kësaj here vjen nga Bullgaria, në formën më brutale të mundshme, pasi zyrtarët e saj thonë “ne jemi miqtë tuaj më të mirë”, por sërish do ju vëmë në “veto” drejtë ecjes përpara.
Ky moment zhgënjen maqedonasit sepse sërish dalin në sipërfaqe çështjet identitare, por zhgënjen dhe shqiptarët, që iu rritet ndjesia e të qenurit peng e çështjeve që mbase nuk i prekin direkt, por i jetojnë si realitet të shtetit të përbashkët.
Por çfarë krijon kjo situatë? Sipas një sondazhi joformal, me siguri i porositur në qarqe të ndryshme partiake, e që po citohet në rrethe politike, del se diku mbi 60 përqind e shqiptarëve mbështesin bashkëqytetarët e tyre maqedonas. Kjo ka filluar edhe të interpretohet si një moment i ri i realiteteve të brendshme në Maqedoninë e Veriut, ku kauzat e caktuara qytetarët mund t’i shohin të përbashkëta e ajo e integrimeve është pastërtisht e tillë. Por nga ana tjetër të gjithë së bashku, mund të sjellin edhe një zhgënjim të përgjithshëm ndaj BE-së dhe kredibilitetit të saj duke hequr dorë nga Evropa si koncept, vlerë dhe bashkimin që ishte ideal.
Ky moment është shqetësues, sepse edhe më herët por edhe tani disi ka lëkundur atë që e quajmë vlera evropiane, atë që gjeopolitikisht quhet Perëndim, ku të paktën një shtresë e madhe intelektuale dhe politike thotë se përkasim, me pjesën më teknike dhe procedurat që sigurisht janë të rëndësishme, por që lidhen me futjen e vendit në BE. BE na ka zhgënjyer shpesh, por gjykimi përherë duhet të jetë me kokë të ftohtë. Çështja me Greqinë, pastaj Franca e tani Bullgaria. Por siç e kam shkruar edhe më herët, ç’do të bëjmë? Do rrimë në vend dhe veç do ankohemi? Për mua zhvillimi dhe evropianizimi është parësor dhe lidhet ngushtë me arsimimin që është poshtë niveleve të kërkuara. Prandaj procesin e rrugës drejt Evropës fillimisht duhet ta shohim si sfidë të kësaj shoqërie me veten.
Sot Maqedonia e Veriut është pjesë e NATO-s, një aspekt të sigurisë dhe përkatësisë gjeopolitike e ka të përfunduar. Tani mbetet zhvillimi i brendshëm, përparimi në ekonomi, përditshmëri, mirëqenie, arsim të cilin qytetarët e shihnin si mundësi të realizohet me proceset drejt BE-së. Ka ardhur koha që disa të vërteta të thuhen në sy. Këtë proces zhvillimi dhe avancimi duhet të duam të gjithë ta bëjmë dhe vetë edhe pa BE-në në formën siç e kemi menduar. Për këtë rritje dhe zhvillim duhet një herë mendësi, e atë nuk ta sjell dot asnjë ligj dhe asnjë rregullore. Mendësia vjen kur ky prioritet shndërrohet në kauzë, e kauza e zhvillimit dhe evropianizimit duhet të përfshijë të gjithë, arsimin, ekonominë, shoqërinë civil e sidomos politikën e cila gjeneron prirjet dhe forcën drejt rrugëve që do të shkojë vendi. Tek partitë politike, ka prirje që lënë shumë për të dëshiruar, që nga kuadrot një pjesë aq të rastësishëm e pa vizione për të ardhmen, që kënaqen veç me pasurime që sjell posti momental, e deri tek mungesa e hapjes dhe shtrimit të prioriteteve nga gjithë skena politike, për atë se si do të duhej të dukej zhvillimi, pavarësisht kush është në pushtet.
Arsyeja për këtë është pikërisht, sepse fokusi prej vitesh është tek politika banale ditore, e jo tek qëllimet të mëdha, çka bën vazhdimisht që të ketë frikë nga tjetri për të bërë pyetjet e domosdoshme. Që kalon tek çështja e dytë e rrugës së integrimeve evropiane ajo e anëtarësimit teknik në BE, ku pa konsensus të plotë nga gjithë vendet anëtare kjo s’mund të ndodhë. Atëherë si duhet qasur çështjeve që ngre Bullgaria? Personalisht unë mendoj se s’duhet të mbesim peng i historisë, por këtë se thonë vendet dhe politikanët e tyre që ushqejnë pushtetin me historinë e koklavitur të Ballkanit.
Atëherë pse nuk bëhen pyetjet hapur? Një guxim të madh në shtrimin e këtyre pyetjeve, por dhe dhënien e disa përgjigjeve ka pasur profesor Denko Malevski. Ai ndër të paktët thotë hapur, dhe kjo thuhet për herë të parë kaq qartë, “historia nuk mund të ndryshohet,por mund të interpretohet në mënyrë që të krijojë miq”. Por kjo sipas tij duke pranuar edhe disa të vërteta, e një sipas tij është edhe ajo se “ka ikur koha kur historiografia maqedonase, e mbrojtur nga federata e fuqishme jugosllave, mundej pa pengesë të bëjë selektimin e ndërtimit historik të kombit maqedonas”. Profesori e thotë hapur se “duhet të përshtatemi me të vërtetën historike se në të kaluarën kemi qenë pjesë e të njëjtit popull”.
Sigurisht këto qëndrime shkaktuan valë reagimesh dhe mund të shihej dallimi mes nostalgjikëve ish jugosllavë dhe atyre që janë më të hapur drejt historisë pa ngarkesat ideologjike dhe politike të kohës. Por këto qëndrime reflektojnë edhe atë përplasje gjeopolitike interesash ku menjëherë erdhën edhe nga Beogradi duke parafrazuar një deklaratë tl Ivica Daçiçit se kur e deshët kaq shumë Bullgarinë pse pritët deri më 2020-ën? Pra prirjet janë këtu, vetëm format e influencave ndryshojnë siç ndryshon dhe realiteti vetë. Sqarimi i historisë me Bullgarinë duhet të bëhet hapur pa bagazhin e të kaluarës, sidomos jo me ndikimet serbe. Nuk dua të ndërhy më shumë në çështjet historike, por në fund dua të them, se meqë historia ka aq shumë rëndësi për Ballkanin, Bullgaria me reagimin e saj bëri atë që mbase askush s’do e bënte, hapjen kaq direkte të pyetjeve për maqedonasit, që mund të duken delikate, por qartësisht duhet të trajtohen.
Bullgaria këtu ka fitoren e saj, pikërisht nxitjen e debatit të brendshëm, që në rrethana të tjera as që do bëhej. Politika atje këtë proces duhet ta shohë me një optikë më të gjerë, sepse edhe fakti se Maqedonia e Veriut ka qenë nën Jugosllavi, e si rrjedhojë zhvillimi i një mentaliteti me atë ndikim, nuk mund të zhbëhet me imponim e inat. Vetë fati se ka deklarata të qarta, se prejardhja “është nga popull i përbashkët”, e shkruar në artikull, e debatuar, është sukses bullgar që nuk mendohej më parë.
Tani mbetet deri më 8 dhjetor të shihet nëse Bullgaria do të vijojë të kërkojë koncesione emocionale që nuk arrihen pa komunikim, ose do të ndikojë në përafrimin mes njerëzve nëpërmjet miqësisë. Historia ka treguar se kjo e dyta sjell stabilitet dhe afrim afatgjatë. Profesori Denko Malevski thotë se duhet vetëm vullnet të shihet fakti se maqedonasit dhe bullgarët i “bashkon e kaluara e përbashkët, por edhe e ardhmja evropiane”. Që kjo e dyta të ndodhë, tani kartat janë tek Bullgaria. E vërteta e saj në Maqedoninë e Veriut është thënë më qartë se çdo herë, diskutimet do vazhdojnë për historinë, kësaj here shumë më hapur se çdo herë tjetër, por do jetë po aq historike e do mbesë në histori nëse Bullgaria do i qaset të vërtetës së saj me bllokim e jo me mbështetje për anëtarësimin ne BE.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)