Statistika zyrtare tregon se prej muajit korrik të vitit 2012 deri në muajin qershor të vitit 2017, në Gjermani janë punësuar 1.3 milion të huaj në raport me 1.6 milion gjermanë. Njëherësh, Gjermania duhet të angazhojë sa vjen e më shumë punëtorë të huaj për të ruajtur zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 prill – Gjermania në të ardhmen do të tregojë varshmëri të madhe prej fuqisë punëtore nga shtetet e treta që aktualisht nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian. Njohësit e tregut gjerman të punës presin që gradualisht të ndryshohet kërkesa për punëtorë prej asaj nga shtetet anëtare të BE-së që edhe më lehtë të punësohen brenda unionit, shkruan gazeta KOHA. Në këtë drejtim, janë ndërmarrë edhe më shumë veprime që punëtorëve të huaj t’u lehtësohet marrja e lejes së punës dhe leja e qëndrimit në bazë të kualifikimeve të tyre profesionale si për mjeshtër, ashtu edhe për profesionet me arsim të lartë.
Në ndërkohë, edhe analizat e fundit tregojnë rritjen e pjesëmarrjes së punëtorëve të huaj karshi punëtorëve gjermanë. Statistika zyrtare tregon se prej muajit korrik të vitit 2012 deri në muajin qershor të vitit 2017, në Gjermani janë punësuar 1.3 milion të huaj në raport me 1.6 milion gjermanë. Njëherësh, Gjermania duhet të angazhojë se vjen e më shumë punëtorë të huaj për të ruajtur zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin. Gjithashtu, lëvizja e madhe pozitive në tregun gjerman të punës, si duket do të ishte e pamundur pa emigrimin.
Kjo, ndër të tjerash theksohet në hulumtimin e fundit të Institutit Gjerman Ekonomik – IV me seli në Keln. Pjesa dërmuese e mërgimtarëve që punojnë në Gjermani vijnë nga shtetet e ndryshme të Bashkimit Evropian , ndërsa vetëm 386 mijë prej tyre vijnë prej shteteve të treta, theksohet më tej në analizë.
Nga Instituti Ekonomik IV alarmojnë se në vitet e ardhshme, mund të pritet rritje e papunësisë ndër gjermanët dhe ulje pjesëmarrjes së popullatës vendase në fuqinë punëtore të Gjermanisë. “Gjermania pritet në të ardhmen, sipas të gjitha gjasave, të varet nga shtetasit e shteteve të treta, për shkak se mërgimtarët nga shtetet e BE-së do të nevojiten në vendet amë, tregjet e punës të të cilave gjithashtu vuajnë nga pasojat e plakjes së popullatës”, theksojnë më tej analistët e Institutit IV.
Eksperti Vido Geis thekson se Gjermania në të ardhmen do të ketë nevojë më të madhe për punëtorë nga jashtë si rrjedhojë e uljes së numrit të punëtorëve gjermanë, sidomos në dekadën e ardhshme kur do të pensionohen punëtorët të lindur midis vitit 1955 dhe 1969 kur Gjermania kishte natalitet mjaft të lartë.
“Kërkesa më e madhe në tregun gjerman të punës do të jetë për njerëzit me diploma të mjekësisë, informatikës dhe shkencat natyrore , si dhe teknikët e ndryshëm. Gjithashtu, në erën e digjitalizimit do të zvogëlohet kërkesa për punëtorët që nuk kanë kualifikime të larta e të cilët në të ardhmen do të mund të kryhen nga ana e punëtorëve në vend apo punëtorëve që për shkaqe humanitare, kanë ardhur në Gjermani”, shton më tej Geis, përcjell KOHA.
Në ndërkohë, lidhur me digjitalizimin, më parë vlerësohej se deri në vitin 2035 ky proces do të ndikojë në shuarjen e 1.5 milion të vendeve të punës. Megjithatë, analizat e Institutit për hulumtimin e punës dhe Institutit për arsim në ekonomi në Gjermani, tregojnë se për shkak të digjitalizimit – do të krijohen një numër po aq i madh i vendeve të reja të punës.
Ekspertët e Institutit IV vlerësojnë se digjitalizimi deri tani ka ndikuar në shuarjen e 60 mijë vendeve të punës në Gjermani, por që si shifër nuk ka ndikuar në numrin e përgjithshëm të të punësuarve në ekonominë më të fuqishme evropiane. Ekspertët e teknologjisë informatike thonë se përveç faktit se industria moderne e kompjuterëve është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në botë, në mesatare ajo për çdo vend të ri pune, krijon pesë vende të reja të punës në sistemin bankar, tregti, industrinë automobilistike, arsim, shëndetësi, transport etj.
Nga ana tjetër, rritet edhe numri i mërgimtarëve me qëndrim të rregullt në këtë shtet. Statistika zyrtare tregon se në fund të vitit 2017 janë numëruar 10.6 milionë persona me shtetësi të huaj në Gjermani.
Kjo tregon një rritje për 585 mijë të huaj në raport me vitin 2016. Bile, rritja është edhe më e madhe se mesatarja e dhjetë viteve të kaluara kur kishte migrim në mesatare prej afër 390 mijë persona në vit. Gjithashtu, prej vitit 2009 e këndej rritet në vazhdimësi numri i mërgimtarëve në Gjermani. Shkak kryesor për këtë është ardhja e banorëve të anëtareve të reja të BE-së si Polonia, Rumania dhe Bullgaria. Nga këto shtete, vetëm në vitin 2017 në Gjermani janë shpërngulur 439 mijë njerëz.
“Ndërmjet viteve 2007 dhe 2017, numri i qytetarëve me shtetësi të njërës nga anëtaret e reja të BE-së, është rritur nga 919 mijë në 2.6 milionë”, bëjnë të ditur nga Institut gjerman i statistikave.
Në rritje e sipër është edhe numri i qytetarëve të Maqedonisë që shpërngulen për punë dhe jetesë në Gjermani. Sipas të dhënave të statistikës zyrtare, në fund të vitit 2017 në Gjermani kanë jetuar 99.435 shtetas të Maqedonisë.
Kjo paraqet një rritje prej gati 4000 persona në raport me vitin 2016, kur 95.570 shtetas të Maqedonisë jetonin në Gjermani. Vlen në fund të theksohet se në dhjetë vitet e fundit, në kërkim për një vend më të mirë të paguar të punës, ikjes prej rajonit ku standardi jetësor nuk arrin as një të tretën e shteteve të Bashkimit Evropian, mungesës së stabilitetit politik që pamundëson përmirësimin e cilësisë së jetesës, numri i shtetasve të Maqedonisë që jetojnë në Gjermani është rritur prej 65.998 persona në vitin 2010 në 99.435 persona në vitin 2017.
Në ndërkohë, në Gjermani jetojnë edhe 367.900 shtetas kroat. Pas hapjes së tregut gjerman të punës për anëtaret e reja të BE-së, është rritur numri prej 224.971 shtetas kroat në vitin 2012 në afër 370 mijë. (koha.mk)