Shfrytëzuesit e e-trotineteve kanë rwnw në hall me dispozitat e fundit të LSK-së, të cilët parashohin qarkullimin e tyre vetëm në trotuare apo shtigje për çiklistë, në kohën kur kjo infrastrukturë rrugore ose është e uzurpuar – ose fare nuk ekziston
Omer XHAFERI
Shkup, 20 janar – Dispozitat e Ligjit të ri për Siguri në Komunikacion (LSK) për pjesën e përdorimit të trotineteve elektrik në komunikacion, për një pjesë të madhe të qytetarëve në Shkup, por edhe në qytetet tjera të Maqedonisë së Veriut, janë diskriminuese. Vendimi që kjo kategori e pjesëmarrësve në komunikacion të qarkullojë vetëm në trotuar apo shtigje për çiklistë, nuk përputhet me realitetin e përditshëm. Trotuaret e uzurpuara dhe shtigjet jofunksionale për biçikleta, apo mungesa absolute e një infrastrukturë të tillë në shumë pjesë të shtetit ka krijuar një situatë konfuze te shfrytëzuesit e këtij mjeti alternativ për transport.
Aktivistja Snezhana Domazetovska, nga Organizata jo formale “Në biçikletë”, për gazetën KOHA shprehet se nëse miratimi i LSK-së do të bëhej në një procedurë më të hapur, nuk do të ekzistonin dispozitat aktuale për e-trotinetët. Ajo po ashtu shtoi se propozimet e tyre si aktivistë nuk i shohin në këtë ligj. “Qartë shihet se qëllimi ishte që me shpejtësi të rregullohen trotinetet, por jo edhe ndonjë ndryshim më i madh. Por, këso ndryshimi i nevojitet këtij ligji. Përderisa nga njëra anë mirë është që përfundimisht u rregullua shfrytëzimi i e-trotineteve dhe tash ato ekzistojnë si mjet transporti në LSK (më herët gjatë aksidenteve eventuale ato njiheshin si këmbësor), u kufizua shpejtësia në shtigjet për këmbësor dhe ato për biçikleta, kjo është pozitive… Nga ana tjetër, caktimi i hapësirave për lëvizjen e tyre më të vërtet është pa paramenduar, por edhe diskriminues”, thotë aktivistja Domazetovska.
Habia më e madhe, sipas saj, është se e-trotinetet nuk do të mund të shfrytëzohen as në rrugët sekondare, ku kufizimi i shpejtësisë është prej 20 deri në 30 km/h. Ndër më të prekurit nga dispozitat e fundit të LSK, rreth shfrytëzimit të e-trotineteve gjithsesi se do të jenë banorët e pjesës veriore të Shkupit. Pavarësisht ndërhyrjeve të viteve të fundit në infrastrukturën rrugore në këtë pjesë të kryeqytetit, situata mbetet ende larg të dëshiruarës. “Situata me trotuaret dhe shtigjet për çiklistë filloi të ndryshohet për nga e mira në një pjesë të rrjetit primar (bulevardeve), por jo në mënyrë të barabartë në të gjithë qytetin. Shembull, në Çair dhe Kisella Vodë nuk ekziston infrastruktura për biçikleta as në rrugët kryesore. Rrjetit sekondar i rrugëve për këmbësor dhe çiklistë është tmerr në të gjitha dhjetë komunat e Shkupit”, thekson Domazetovska.
Me qëllimin përmirësimin e gjendjes në terren dhe ngritjen e kualitetit të jetës urbane në kryeqytetit, organizata jo formale “Në biçikletë”, së fundmi dhjetë komunave që gravitojnë në qytetin e Shkupit si dhe vetë administratës së Qytetit të Shkupit, i kanë dorëzuar shkresë ku propozohen tre masat kryesore që duhet t’i ndërmarrin autoritet lokale në këtë drejtim. Rregullimi i hapësirave për këmbësor, krijimi i rrjetit për biçikleta dhe rritja e sigurisë janë propozimet kryesore të organizatës “Në biçikletë”. Përgjegjësitë për mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë në komunikacion, Policia rrugore nuk pati përgjigje konkrete se si do të veprojnë me shfrytëzuesit e e-trotineteve nëse ata janë të detyruar të qarkullojnë në rrugë nga shkaku se trotuaret apo shtigjet për biçikleta janë të uzurpuar. Ata as nuk dhanë sqarim se vallë kjo kategori e pjesëmarrësve në komunikacion do të “tolerohet” në vendet ku mungon infrastruktura e kërkuar në ligj. Gjobat për shkeljen e rregullave të komunikacion nga shfrytëzuesit e-trotineteve lëvizin nga 50 deri në 120 euro. (koha.mk)