Jeta e një sportisti në Kosovë është mjaft e vështirë. Në disa sporte ata nuk paguhen fare ose u vonohen rrogat. Sikur të mos mjaftonte kjo. Në disa sporte ata detyrohen t’i nxjerrin paratë nga xhepi i tyre për shërimet nga lëndimet apo operimet që detyrohen t’u nënshtrohen, shkruan sot gazeta Zëri. E më e keqja është se kryesisht lëndimet i pësojnë gjatë garave dhe ata injorohen totalisht nga klubet që iu përkasin, respektivisht nga federatat gjegjëse.
Arian Gashi është njëri prej sportistëve që e mbylli karrierën përkohësisht, pasi nuk pa perspektivë në sportin kosovar. Boksieri prishtinas e kishte pësuar një lëndim të rëndë dhe i ishte dashur t’i mbulonte vetë shpenzimet dhe kjo e ka shtyrë që t’i varë dorëzat në mur. “Para dy vjetësh, duke e përfaqësuar vendin në një turne në Bosnjë e pata thyer dorën në meçin e parë, ku pata fituar. Mirëpo, pa asnjë kujdes për lëndimin kam hyrë ashtu i lënduar dhe kam boksuar edhe në meçin e dytë”, tregon fillimisht tmerrin Gashi për “Zërin”. “Unë kam vazhduar duke boksuar dhe pata humbur me hile dhe fatkeqësisht lëndimi u bë më i madh dhe më ka kushtuar shumë, pasi isha në bisedime me një klub në Gjermani në atë kohë. Si pasojë e lëndimit m është dashur të pauzoja gjashtë muaj”, shton ai.
Tmerri i këtij sportisti nuk ndalet me kaq. Ai është injoruar totalisht, ndërsa Ministria e Sportit ia ka dhënë një “lëmoshë” sa për të mos thënë. “Federata e Boksit nuk më ka ndihmuar, ndërsa më pas kam shkuar ta bëj ankesën në Departamentin e Sportit. Ministria e Sportit më pati ndihmuar me 150 euro pasi e kam dërguar vërtetimin. Shërimin e kam bërë në Gjermani dhe më ka kushtuar afro 1.000 euro. Shpenzimet m’i ka paguar daja atje”, vazhdoi ai.
Jeta e sportistit në Kosovë, e tmerrshme
Gashi ka mbetur i zhgënjyer me gjithçka e rrethon sportin kosovar. Ai nuk sheh perspektivë këtu dhe mendjen e ka jashtë vendit. Ofertat nuk i mungojnë dhe po mendon që karrierën ta vazhdojë diku ku ia vlen.
“Në Kosovë është tmerr të jesh sportist. Këtu hahet djersa e sportistëve, por InshAllah ndryshojnë gjërat për të mirë prej së larti e deri poshtë. Unë për Kosovë e kam mbyllur karrierën para një viti. E kam lënë pasi nuk ka kurrfarë kushtesh për sportistë elitarë dhe shumicën e shpenzimeve gjithmonë duhet ta bësh prej parave të familjes. Shpresoj që të vijnë ditë më të mira për boksin (sportin) kosovar”, shprehet Gashi, i cili herën e fundit ka boksuar në turneun “Adem Jashari” vitin e kaluar dhe e kishte zënë vendin e parë në kategorinë 69 kilogramë. “Kam qenë në Gjermani dhe jam në kontakte me një klub atje. Ju kam pëlqyer, kam qenë para dy javësh dhe tash jam duke i pritur dokumentet me afat më të gjatë, që të shkoj dhe të boksoj atje e pse jo edhe t’i marr letrat dhe ta përfaqësoj Gjermaninë”, nënvizoi 23-vjeçari.
Ai zbulon se prej klubit të boksit Prishtina kishte marrë rrogë 2-3 vjet dhe e falënderon kryetarin e asaj kohe, Aziz Salihun, pasi e kishte paguar atë dhe 3-4 boksierë tjerë dhe dy trajnerë, edhe pse paguante qira, shkruan Zëri.
S’ka as sigurime shëndetësore
Një tjetër faktor që e ka zhgënjyer Gashin është edhe fakti se sportistët nuk janë aspak të mbrojtur dhe klubet nuk ua kryejnë as obligimet themelore, siç është sigurimi shëndetësor. “Një faktor tjetër me rëndësi që ma ka humbur atë vullnetin që të mos merrem me boks është aspekti financiar. Por, çka është me rëndësi shumë të madhe për një sportist e sidomos për një boksier është se nuk kemi as sigurim shëndetësor. As nga shteti nuk kam marrë kurrë asnjë cent, bile as kur kam marrë pjesë në Kampionatin Botëror”, vazhdoi boksieri prishtinas.
Në fund, ai tha se derisa të jenë disa njerëz që e udhëheqin boksin kosovar dhe që nuk e meritojnë të jenë në ato pozita nuk ia vlen të rrihesh për dikë tjetër. Nga ana e tyre, drejtuesit e Federatës së Boksit thonë se ky institucion nuk mund t’i paguajë e as t’ua kryejë shpenzimet tjera boksierëve, duke ua gjuajtur “topin” klubeve.