Pa u mbushur as dy javë nga humbja në derbi Milani ka rastin për të kthyer faqe dhe për të gëzuar tifozët, teksa pret në “San Siro” kampionët në fuqi të Juventusit.
Ndeshja është programuar për t’u luajtur në një orar tepër të pazakontë për këtë klasike të aksit Milano – Torino, në orën 18:00, dhe skuadra e Vincenco Montellës duhet patjetër të hyjë në fushë për të fituar ndeshjen për të mos humbur akoma më tepër terren, kundrejt ekipeve që kryesojnë kampionatin italian. 12 muaj më parë rrethanat ishin shumë më të ndryshme dhe “kuqezinjtë” ia dolën mbanë për të siguruar 3 pikët në shtëpi, falë një goli të shkëlqyer të adoleshentit Manuel Locatelli, ndërsa këtë herë skuadra është e detyruar për të fituar, për të mbrojtur me fanatizëm stolin e Montellës dhe për të larguar në njëfarë mënyre retë e zeza që kanë mbuluar prej kohësh këtë klub legjendar të futbollit italian.
Mbi të gjitha vendasit duhet të gjejnë zgjidhje në fazën sulmuese, pasi në shtëpi “kuqezinjtë” nuk shënojnë që nga dueli me Rijekën, ndërkaq në repartin e tërhequr do të mungojë një ish i famshëm si Leonardo Bonucci, kështuqë mbrojtja duhet të mendojë për të mbajtur urtë një superfuqi si Juventusi, që në katër ndeshjet e këtij edicioni larg Torinos në Serinë A ka shënuar plot 15 gola dhe mund të mbështet fort te klasi i lojtarëve të tillë si Dybala, Higuain e Pjanic. Emocionet dhe spektaklin që pritet të dhurojë kjo sfidë do të keni mundësi ta shijoni live në ekranin e Supersport.