Vetëm një ditë më parë, Joey Barton tha se Neymar është një denomen publicitar, duke e etiketuar si Kim Kardashian të futbollit. Por pas asaj që bëri sot në ndeshjen mes Paris SG dhe Rennes, vështirë se mund t’i japësh të drejtë anglezit.
Gjatë ndeshjes të kësaj të diele, të cilën parizienët e fituan 3-1, edhe pse nuk shënoi siç ndodh thuajse gjithmonë, braziliani u bë protagonist në një episod mjaft të veçantë. Një tifoz i vogël u fut në fushë duke u drejtuar pikërisht për nga numri 10, i cili e mori në mbrojtje nga forcat e sigurisë që u afruan me shpejtësi për ta nxjerrë jashtë fushe.
Dhe kur pa që vogëlushi kishte shumë emocione e tashmë kishte filluar të qante, Neymar i dhuroi edhe fanellën e tij. Vetëm në atë moment, personeli i sigurisë mundi ta merrte djalin dhe të dërgonte në vendin e tij në tribunë.
Një veprim ky që bëri të ngriheshin në këmbë të gjithë tifozët në stadiumin e Rennes, pavarësisht se ndeshja po mbyllej me humbjen e skuadrës së tyre. Të paktën këtë herë, në vend të vërshëllimave për simulime dhe reagime të tepruara, braziliani mori mbështetjen e publikut për veprimin e tij. Vetëm se nëse zbritjet e tifozëve në fushë për të takuar Neymar vazhdojnë me këtë ritëm (hera e dytë që ndodh këtë sezion) ai duhet të marrë më shumë fanella me vete në çdo ndeshje.