Futbollisti i Liverpulit, Filip Kutinjo, mund të vendosë për t’u bashkuar me bashkëkombësit e tij, Nejmar dhe Tiago Silva, te PSZH-ja, nëse braziliani vendos të ndjekë rrugën e tij. Gjigantët francezë thyen rekordin botëror të transferimeve gjatë verës për të rrëmbyer Nejmar nga Barcelona, për 222 milionë euro. Ata tani mund të konkurrojnë me kryesuesit e La Ligas në betejën për një tjetër brazilian, Kutinjo, që është regjistruar në radarët e “Camp Nou” për pak kohë. Liverpuli ka qenë në gjendje të mbajë shërbimet e “play-maker”-it 25-vjeçar tani për tani, por mbrojtësi i PSZH-së, Tiago Silva, beson se një lëvizje e parave të mëdha do të mund të përdorej në 2018.
“Unë flas shumë me Kutinjon. Shpresoj që në fund të sezonit, apo edhe më parë, kjo mund të jetë një surprizë e këndshme për ne. Unë shpresoj se ai do të mendohet mirë dhe se vitin e ardhshëm do të luajë me ne”, tha Silva. Tiago mund të luajë një rol udhëheqës në çdo qasje për Kutinjon, me 33-vjeçarin të përgatitur për ta ndihmuar PSZH-në në përmbushjen e një objektivi të mundshëm. Ai bëri, po ashtu, që Nejmar të transferohej te PSZH-ja: “Ashtu si Nejmarit, i jap edhe atij shumë këshilla. Sidoqoftë, mendoj se gjëja më e rëndësishme për Kutinjon është që të marrë vendimin më të mirë për veten”, deklaroi Silva. Kutinjo ka bërë 10 paraqitje për Liverpulin këtë sezon, duke shënuar pesë gola. Ai kërkohej nga Barça si zëvendësim për Nejmarin.