Laura PAPRANIKU
Shkup, 12 prill – Bazuar në ndarjen e nxënësve sipas gjuhëve të huaja, të cilat mësohen në shkollat fillore dhe të mesme, Maqedonia përcaktohet bindshëm drejt tendencave anglofone, shkruan gazeta KOHA. Në shkollat fillore, gjuhë e parë e huaj në mënyrë ekskluzive është anglishtja, ndërsa për gjuhën e dytë të huaj gara është mes frëngjishtes dhe gjermanishtes. Të gjithë filloristët, pa përjashtim, pra 192 715 nxënës nga klasa e parë deri të nëntën, mësojnë anglisht në lëndën e gjuhës së huaj të parë. Mirëpo, këto tendenca janë të theksuara edhe në arsimin e mesëm, ku nxënësit kanë mundësi zgjedhje për disa gjuhë.
Pjesa dërmuese, respektivisht 75289 nxënës, nga 76384 sa numërohen gjithsej në arsimin e mesëm, kanë gjithashtu anglishten gjuhë të parë. Përveç anglishtes të cilën sikurse tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave e kanë gjuhë të parë të huaj 75289 nxënës, statusin e kësaj lënde mësimore në shkollat e mesme e kanë edhe frëngjishtja, gjermanishtja, rusishtja, italishtja, turqishtja dhe ndonjë tjetër. Mirëpo, në zgjedhjet që bëjnë nxënësit, del se përveç anglishtes me statusin e lëndës së parë të huaj, në vitin 2016 është mësuar edhe frëngjisht, edhe atë nga gjithsej 800 nxënës, gjermanishtja nga 289 nxënës dhe rusisht nga 16 nxënës. Numrat flasin qartë: në shkollat e mesme të Maqedonisë anglishtja është gjuha e parë e huaj, kurse rusishtja gjuha e fundit. Rusishtja, përcjell KOHA, është gjuhë e fundit edhe në kategoritë tjera të gjuhëve të huaja si lëndë mësimore, pra si gjuhë e dytë e huaj në shkollat fillore dhe në shkollat e mesme, si dhe në kategorinë e gjuhëve si lëndë fakultative. Kështu në shkollat fillore, rusishtja është gjuhë e dytë e huaj për vetëm 935 nxënës, për dallim prej frëngjishtes dhe gjermanishtes, të cilën e mësojnë respektivisht 37 324 dhe 44 462 nxënës. Sakaq 881 nxënësit e mbetur kanë zgjedhur gjuhë të tjera. Sikurse dihet, gjuha e dytë e huaj në shkollat e Maqedonisë mësohet nga klasa e gjashtë e arsimit nëntëvjeçar. Në arsimin e mesëm, nxënësit mësojnë nga dy gjuhë të huaja të obligueshme, njëra e parë dhe tjera e dytë, ndërsa kanë mundësi të marrin gjuhën e huaj edhe si lëndë fakultative (zgjedhore).
Gama e gjuhëve të huaja në të tria kategoritë është relativisht e gjerë. Njëlloj si në pasqyrën e arsimit fillor, edhe këtu dominon mësimi i anglishtes si lëndë e parë dhe i frëngjishtes dhe gjermanishtes si lëndë e dytë. Rusishtja është e fundit në të gjitha kategoritë. Statistikisht situata me mësimin e gjuhëve të huaja në arsimin e mesëm është me sa vijon: 75 289 nxënës mësojnë anglisht në lëndën e parë të huaj, 16 311 frëngjisht në lëndën e dytë të huaj, 18 850 gjermanisht në lëndën e dytë të huaj, 233 rusisht në lëndën e dytë të huaj e kështu me radhë. Në lëndën fakultative, anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, rusishtja janë mësuar nga gjuhët e huaj janë mësuar nga 69, 75, 84 dhe 26 nxënës. ESHS-ja analizën për ndarjen e nxënësve sipas gjuhëve të huaja që mësohen në shkollat fillore dhe të mesme të Maqedonisë, e ka publikuar kohë më parë. Bie në sy edhe numri jo i vogël i nxënësve që kanë gjuhë të dytë të huaj italishten dhe turqishten, respektivisht 1026 dhe 1303 nxënës si dhe italishten për lëndë fakultative të cilën e mësojnë 545 nxënës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara