E paqartë e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi

Presidenti Thaçi kërkon vazhdimin e dialogut me Serbinë në nivel presidentësh. Por të nominuarit për kryeministra kanë mendim tjetër: Qëndrimet e Ramush Haradinajt, Albin Kurtit, Avdullah Hotit për zhvillimin e dialogut.

34

Njëra ndër çështjet me të rëndësishme njëkohësisht edhe më të ndjeshme, me të cilën do të përballen institucionet e Kosovës është dialogu me Serbinë, i nisur në vitin 2011, por që akoma nuk ka arritur qëllimin final, normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Udhëheqësit politik kosovarë në një seri intervistash për DW, kanë shprehur mendime të ndryshme sesi duhet zhvilluar tashmë ky dialog.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, thotë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë në nivel presidentësh, Ramush Haradinaj, nga koalicioni (PAN) mendon se Serbisë i duhen vënë kushte, Albin Kurti nga Vetëvendosje nuk do të bisedojë me Serbinë, por me serbët lokalë, ndërsa, Avdullah Hoti nga LDK, do përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së në dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë fillimisht nisi si dialog teknik, duke avancuar më pas në dialog politik. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të hënën në Bruksel takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një takim joformal, është i bindur se dialogu Kosovë-Serbi duhet të kalojë në nivel presidentësh, pra në një fazë tjetër, ku Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Dialogu do të kalojë në nivel të presidentëve, do të zhvillohet në Bruksel, do të punohet në një qasje që të kemi sa më shpejtë një kornizë të gjerë politike të marrëveshjes që do të qonte drejt një fqinjësie të mirë, bashkëpunimi, normalizimi dhe pajtimi ndërshtetërorë, që do të thotë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia”, thotë Presidenti Thaçi.
Gjatë Samitit për Ballkanin që u zhvillua të shtunën (01.07.) në Dubrovnik, presidenti i Kosovës tha se “është zotim i Kosovës, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”. “Jemi të vetëdijshëm se kemi ardhur në një pikë, në një proces të ri, i cili duhet të përfundojë me normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Thaçi.
Por lidhur me dialogun ka edhe zëra të tjerë: I nominuari për kryeministër i koalicionit fitues të zgjedhjeve (PAN) Ramush Haradinaj, thotë se formati i deritashëm i dialogut Kosovë-Serbi, duhet ndryshuar, sepse nuk ka sjellë rezultate. “Serbisë i duhet vënë kusht zbatimi i marrëveshjeve dhe masa e reciprocitetit”, thotë ai. “Mendojmë se dialogu duhet të kalojë në një etapë tjetër, ne kemi një qëllim në marrëdhëniet me Serbinë që është njohja reciproke dhe nëse ndodh dialogu që nuk jemi kundër dialogut, nuk mundet që të vazhdojë logjika e deritashme në dialog, ku vërtetë është biseduar për temat e brendshme të Kosovës. Por nuk është respektuar reciprociteti dhe nuk është respektuar fare fakti që Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur prej shumë vendeve të botës”, thotë Ramush Haradinaj.
Po ashtu Haradinaj thekson se nuk mund të krijohet asociacioni në atë formë si është arritur në vitin 2013 marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe. “Nuk mund ta zbatojmë këtë marrëveshje, sepse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se ajo marrëveshje nuk është në frymën kushtetuese të Kosovës, tani meqenëse ka një ndërhyrje të tillë të Gjykatës Kushtetuese, ne duhet të jemi të disiplinuar ta zbatojmë kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta jonë ka paraparë mundësinë e organizimit të asociacioneve që mund të jenë organe vetëm koordinuese, por jo vendimmarrëse dhe s’ka veprimtari ekzekutive”, thotë Haradinaj.
Ndërsa i nominuari tjetër për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se stabiliteti i rajonit është shumë i rëndësishëm dhe përmbyllja me sukses e dialogut Kosovë-Serbi, është e një rëndësie te veçantë. “E para është në interes të Kosovës dhe stabilitetit në rajon që bisedimet me Serbinë të përmbyllen suksesshëm. Dialogu duhet të zhvillohet në nivel kryeministrash dhe të gjitha temat që do të diskutohen me Serbinë do t’i nxjerrim në tavolinë, dhe do të kërkojmë vendosjen e afatit kohor ku duhet të përfundojë procesi, sepse ne kemi negociuar për ato marrëveshje dhe pastaj kemi negociuar sërish për zbatimin e atyre marrëveshjeve. Do të ketë dialog me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, por me përfshirje të drejtpërdrejt të SHBA-së, për t’i dhënë një shtytje të re dialogut me Serbinë”, thotë Avdullah Hoti.
Hoti kundërshton zhvillimin e dialogut me Serbinë në nivel presidentësh. Madje ai ka ftuar partitë politike që t’i bashkohen LDK-së, që ta kundërshtojnë Thaçin, që të zhvillojë dialogun Kosovë-Serbi. “Ftoj të gjitha partite politike t’i bashkohen LDK-së në kundershtimin e përpjekjeve jo kushtetuese të Presidentit Thaçi për të marrë pjesë në dialog me Serbinë krye në vete. Me partitë politike në Kuvend do ta përgatisim platformën për bisedime me Serbinë pas krijimit të institucioneve. Në këtë platforme të re, dialogut do t’i japim dinamikë shumë më të ngjeshur, me afate kohore të prera, me involvim më të madh të partnerëve tanë nga BE dhe SHBA, duke vendosur në tavolinë të bisedimeve të gjitha temat”, shprehet Avdullah Hoti.
Një mendim krejt tjetër për dialogun me Serbinë, ka i nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai thotë se para se të bisedohet me Serbinë duhet zhvilluar dialog me serbët e Kosovës, sepse, sipas tij, Serbia nuk mund të flasëpër punët e brendshme të Kosovës. “Qëllimi i Beogradit ka qenë në fakt krijimi i “zajednicës” së komunave me shumicë serbe. Këtu nuk ka dialog, ndaj nuk mund të thuhet që Vetëvendosja do të ndërpriste dialogun, sepse ai nuk ekziston. Ne mendojmë se para çdo dialogu me palën serbe, ka nevojë për dialog të hapur me serbët e Kosovës për zhvillim. Ndërsa sa i përket dialogut me Beogradin, nuk mund të bisedojmë më pa kurrfarë parimesh, dhe nuk mund të pranojmë që Serbia ta përcaktojë gjithmonë agjendën”, thotë Albin Kurti.
Kurti është i bindur se dialogu me Serbinë që nga fillimi nuk është zhvilluar në interes të Kosovës. “Raportet e mira me Serbinë nuk janë varur kurrë nga Kosova. Ajo nuk po na njeh pavarësinë, nuk ka kërkuar falje për krimet e kaluara, dhe nuk është ballafaquar me të kaluarën. Mendoj se për marrëdhënie të mira me Serbinë, nuk duhet të ndryshojë Kosova por Serbia. 131 nga 250 deputetë të Kuvendit të Serbisë janë futur në grupin e miqësisë me Rusinë, që tregon për orientimin e saj prorus”, thotë Albin Kurti.
Njohës të politikave ballkanike nga ana e tyre shohin vështirësi në zhvillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pikërisht për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta për dialogun të kandidatëve kosovar për kryeministër. Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika i tha DW-së, se Bashkimi Evropian qartë dëshiron që dialogu Kosovë-Serbi të zhvillohet në nivel presidentësh.
“Shihet qartë se zonja Mogherini preferon dialog në nivel presidentësh, përkatësisht ndërmjet Vuçiqit dhe Thaçit, për faktin që në Serbi presidenti Vuçiq, ka gjithçka nën kontroll. Mirëpo, në rastin e Kosovës do të jetë shumë më vështirë për faktin që zoti Thaçi nuk e ka autoritetin e njëjtë sikurse Vuçiq në Serbi, kështu që në këtë rast do të kërkohet një bashkëpunim dhe bashkërendim edhe me qeverinë edhe me Kuvendin e Kosovës dhe do të jetë shumë i paqartë roli, i secilit që bëhet kryeministër i Kosovës sesi do të sillen në raport me dialogun dhe në raport me Presidentin e Kosovës”.
Zoti Rashiti thotë se “ideale do të ishte që dialogu të zhvillohen me nga dy përfaqësues të vendeve, Presidentët dhe kryeministrat. “Në rastin e Kosovës do të ketë shumë vështirësi duke pasur parasysh sesi do të ndërtohen marrëdhëniet ndërmjet “Haradinajt dhe Thaçit”, nëse Haradinaj është kryeministër, apo marrëdhëniet ndërmjet “Kurtit dhe Thacit”, nëse Kurti bëhet kryeministër sikundër “Hotit dhe Thacit”, nëse Hoti është kryeministër. Pra, në të gjitha rastet mund të ketë vështirësi në këtë bashkërendim veprimesh. Ajo që e shoh unë te kandidatët për kryeministra të Kosovës është që megjithë deklarimet e tyre, ata kanë shumë pak hapësirë që ta kundërshtojnë dialogun dhe nuk shihet në horizont një angazhim i freskët i Statedepartamentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi”, thotë Naim Rashiti.
Dialogu Kosovë-Serbi për përmirësimin e raporteve ka filluar në vitin 2011, ndërsa, marrëveshja formale u nënshkrua me 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daqic. Kjo marrëveshje përmbante 15 pika, ku ndër më të rëndësishmet cilësohej krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shuarja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë gjë që akoma nuk ka ndodhur plotësisht. Asociacioni i komunave me shumicë serbe, akoma nuk është themeluar, sepse Prishtina zyrtare këmbëngulte që pa shuarjen e plotë të strukturave paralele serbe, nuk do të nisë krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Comments are closed.