E paprecedent/ Senatori i shkruan ambasadorit në Shkup: Dy javë kohë të më raportosh sa jeni përfshirë me Soros në Maqedoni

Senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Michael S. Lee i ka dërguar një letër ambasadorit amerikan në Maqedoni, Jess Baily, të cilit i kërkon shpjegime nëse ambasada amerikane në Shkup ka ndikuar në politikën e partive.

Syri.net ka siguruar letrën që senatori Lee ka dërguar më 17 janar për ambasadorin amerikan në Maqedoni. Ai i kërkon të sqarojë nëse është i përfshirë në shoqatat e filantropit të majtë George Soros dhe i ka lënë dy javë afat për t’i kthyer përgjigje letrës së tij.

Letra e senatorit amerikan Michale S. Lee dërguar ambasadorit të SHBA në Maqedoni, Jess Baily:

I nderuar ambasador Bally,

Sikurse jeni në dijeni, Senati i Shteteve të Bashkuara luan një rol të madh jo vetëm në mbikëqyrjen e Kongresit, por edhe në parandalimin e abuzimit me burimet e Qeverisë Amerikane, por edhe në politikën e jashtme. Duke pasur parasysh këto përgjegjësi, kam kureshtjen të di se çfarë roli luan misioni i SHBA në Maqedoni, me një situatë të trazuar politike, si dhe në avancimin e mediave dhe të shoqërisë civile.

Është e rëndësishme që ky shtet me 2.1 milionë banorë, që ndodhet në një rajon që historikisht ka qenë i trazuar, të vazhdojë të zhvillohet me sa më pak ndikim të jashtëm që të jetë e mundur. Aktualisht në Maqedoni është një periudhë kritike, në një kohë që të zgjedhurit nga populli negociojnë për të krijuar një qeveri të re.

Për fat të keq, kam marrë informacione të besueshme se gjatë disa viteve të fundit misioni i SHBA në Maqedoni ka ndërhyrë në mënyrë aktive në partitë politike në Maqedoni, si dhe në media e shoqërinë civile, shpesh duke favorizuar grupe të një kahu politik. Nëse këto informacione janë të vërteta, atëherë situata është shumë problematike. Në këtë aspekt, kërkoj nga ju një përgjigje për pyetjet e mëposhtme:

1.Tregoni rolin që kanë pasur personat e tjerë të lidhur me misionin e SHBA në Maqedoni në diskutimet që çuan në caktimin e zgjedhjeve parlamentare të 24 prillit 2016; diskutimet që çuan në shtyrjen e tyre deri në 5 qershor; dhe shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare për më 11 dhjetor. Shpresoj që këto diskutime të jenë konsultuar në mënyrë të barabartë me të gjitha palët.

2.A ka zgjedhur misioni i SHBA në Maqedoni, Fondacionin e Shoqërisë së Hapur si zbatuesin më të madh të projekteve të USAID-it në Maqedoni? Dhe a ka paragjykime politike nga maqedonasit Fondacioni për Shoqëri të Hapur?

3.Sa media në Maqedoni kanë marrë fonde nga Qeveria Amerikane dhe cilat janë ato? A keni ndërmarrë veprime duke ndikuar në punën e tyre apo organizatave të tjera mediatike? Nëse po, përse dhe çfarë keni bërë?

Edhe pse Maqedonia është një vend i vogël, unë vlerësoj marrëdhënien e ngushtë që është krijuar mes SHBA dhe Maqedonisë gjatë 25 viteve që kur fitoi pavarësinë.

SHBA është inkurajuar nga zhvillimet politike dhe ekonomike të Maqedonisë dhe vlerëson se Maqedonia kontribuon në shumë prioritete të politikës së jashtme të vendit tonë. Shpresoj që nga ju të marr informacion të saktë dhe të shpejtë në përgjigje të këtyre pyetjeve, jo më vonë se dy javë nga data e dërgimit të kësaj letre. Mirëpres gjithashtu një takim për të diskutuar këto çështje kur ju të vini në Uashington.

Sinqerisht, Michael S. Lee

Senator i Shteteve të Bashkuara