Sado që në shikim të parë kanë diçka të përbashkët, kundërshtarët shqiptarë dhe ata maqedonas, të referendumit, në esencë asgjë nuk kanë të përbashkët. Përderisa kundërshtarët maqedonas nuk i besojnë BE-së dhe NAT0-s, ata shqiptarë, përkundrazi, jo vetëm që iu besojnë këtyre organizmave, por edhe duan të besojnë se të drejtat e tyre nuk do të trajtohen sipas stilit unitar të Maqedonsië së deritanishme, por sipas stilit europian
Nga Emin AZEMI
Fushata mobilizuese që po bëhet për referendumin, do të duhej kuptuar si motivim për dalje sa më masive më 30 shtator. Ata që po i dëgjojnë pjesëmarrësit e ndryshëm në fushatë, fare pak mund të jenë në numër që e kanë lexuar Marrëveshjen e Prespës. Prijësit e fushatës parareferendumiane janë përqendruar më tepër në epilogun pozitiv, duke eliminuar çdo pengesë të mundshme që mund ta defokusoj qëllimin final, e që është anëtarësimi i vendit në NATO, e pas ndonjë dekade edhe në BE.
Varësisht nga përkatësia etnike e propaganduesve në fushatë, kemi edhe përmbajtjen e fjalimeve. Politikanët maqedonas zakonisht po mundohen ta bindin popullatën e tyre që të mos bien nën ndikimin e VMRO-së, dilemat e së cilës po prodhojnë edhe një far konfuziteti në milieun social e politik maqedonas.
Politikanët shqiptarë, në anën tjetër, u mbytën duke na bindur se sa është e mirë NATO e BE. Në fakt elemente të kësaj fushate me teza të ngjashme, kemi pa edhe në të kaluarën, kur NATO e BE ishte zëvendësim i diskurseve të brendshme etnike e social me aspirata eurointegruese.
Në fushatën maqedonase ka edhe shqetësime të natyrës identitare. Në fushatën shqiptare këto shqetësime nuk janë, por ka paksa konfuzitet. Të përballur ndaj njëri tjetrit – ata që nuk e kanë lëxuar Marrëveshjene Prespës, në njërën anë, dhe politikanët, në anën tjetër, po zhvillojnë një debat paksa me dorëza, duke mos depërtuar më thellë, për të mos prekur majën e aizbergut.
Në fakt, shumëçka po ngelë jashtë debatit publik e legal që po zhvillohet para referendumit. Spjegimi i politikanëve ndërlidhet me mosminimin e procesit aktual, duke iu dhënë përparësi energjive mobilizuese për një referendum të suksesshëm. Përtej këtij spjegimi ndodhet një mjegull që e ka në kokë çdo i dyti shqiptar në formë të pyetjes: Çka pas referendumit?
Fushata informuese, siç po thonë politikanët, përfshin çdo pyetje që parashtrojnë njerëzit e interesuar që marrin pjesë ne tubimet e organizuara në ambiente të hapura e të mbyllura. Mirëpo si mund të bëhen pyetje kur nuk është lexuar Marrëveshja e Prespës? Dhe këtu bëhen dy gabime. Gabimi i parë vjen prej popullatës e cila frikësohet më tepër se ç’duhet për të ardhmen e ndryshimeve kushtetuese dhe gabimi i dytë vjen prej politikanëve, të cilët, artikulojnë një diskurs eklektik, ku përparësi iu jepet përpjekjeve për ta ruajtur frymën e unitetit qytetar për një Maqedoni europiane, duke fshehur “nën plaf” temat e nxehta që lidhen me ndryshimet kushtetuese.
Të forcohet Maqedonia si shtet, apo të mbetet kështu si është, me një mundësi që në të ardhmen
të dobësohet edhe më shumë, ku shqiptarët pastaj do të mund të krijonin parakushte për një bashkim kombëtar?
Është kjo një dilemë që aktualisht rrotullohet në jo pak koka të shqiptarëve. Mbështetësit e këtij mendimi janë të bindur se shqiptarët bëjnë gabim që kontribuojnë në forcimin e shtetësisë së Maqedonisë, siç kanë gabuar edhe në të kaluarën. Ata janë të bindur se nëse Maqedonia integrohet në NATO e BE, ky shtet do ë fuqizohet dhe do të jetë një përparësi vetëm për maqedonasit, por jo edhe për shqiptarët. Se është kështu, thonë ata, flet edhe marrëveshja me Greqinë ku problematizohet vetëm çështja maqedonase.
Këtu pra është lajthitja kryesore e kundërshtarëve të referendumit. Ata mendojnë se shqiptarët kot dalin në referendum, kur dihet se, sipas tyre, nga Maqedonia europiane nuk do të kenë kurrfarë hairi.
Ngjashëm si këta, por me një konotacion tjetër, mendojnë edhe militantët maqedonas që po bëhen gati ta bojkotojnë referendumin. Ata mbrojnë qëndrimin se “Maqedonia e Veriut” është varri i identitetit maqedonas, prandaj, sipas tyre, Maqedonia nuk është mirë të anëtarësohet në BE e NATO me këtë emër të ri.
Sado që në shikim të parë kanë diçka të përbashkët, kundërshtarët shqiptarë dhe ata maqedonas, të referendumit, në esencë asgjë nuk kanë të përbashkët. Përderisa kundërshtarët maqedonas nuk i besojnë BE-së dhe NAT0-s, ata shqiptarë, përkundrazi, jo vetëm që iu besojnë këtyre organizmave, por edhe duan të besojnë se të drejtat e tyre nuk do të trajtohen sipas stilit unitar të Maqedonsië së deritanishme, por sipas stilit europian.
Sidoqoftë, shqiptarët kanë më tepër arsye ti thonë PO edhe NATO-s edhe BE-së për një Maqedoni që do ti trajtonte ata si njerëz, të dinjitetshëm, por me politikanë që kanë afate strikte në agjendat e tyre të operacionalizimit. (koha.mk)