Në ndeshjen e fundit që Skënderbeu fitoi me Korabin në stadiumin “Elbasan Arena” është vënë re mungesa e sulmuesit iranian, Reza Karimi. 18-vjeçari nuk ishte i grumbulluar dhe nuk ndodhej as në tribunë për të ndjekur shokët. I cilësuar si një lojtar i rëndësishëm nga trajneri Ilir Daja, nisur nga potenciali që ka, iraniani i çuditi të gjithë me mospraninë e tij ditën e ndeshjes. Për këtë arsye, u krijuan mjaft pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e lojtarit. “Panorama Sport” ka zbuluar se mungesa e Reza Karimit ishte shkak i një problemi me dokumentacionin në shtetin e tij, çka e detyroi lojtarin të udhëtonte me urgjencë drejt Iranit. Burime në klub treguan dje për gazetën se sulmuesi 18-vjeçar kishte përfunduar shkollën e mesme dhe në këto kushte pranë familjes së tij në Iran kishte mbërritur një fletëthirrje për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pasi foli me drejtuesit e klubit, Karimi u detyrua të largohej me urgjencë nga Shqipëria për të mbyllur të gjithë dokumentacionin përkatës dhe për të justifikuar mungesën e kryerjes së shërbimit ushtarak në vendin e tij. Nëse ai nuk bënte këtë udhëtim, rrezikohej që lojtari të merrej edhe forcërisht nga autoritetet e shtetit të tij për të kryer ushtrinë. Pasi mbylli të gjitha dokumentacionet, Reza Karimi u rikthye dje pranë ekipit, duke u vënë menjëherë në dispozicion të trajnerit Ilir Daja për ndeshjen e radhës kundër Laçit. Në klub kanë marrë garanci nga lojtari dhe menaxheri i tij që shteti iranian nuk do t’i hapë probleme 18-vjeçarit.