Kampioni irlandez i arteve marciale mikse Konor MekGregor ka deklaruar sot sërish se nëse do të zhvillonte revanshin me boksierin Flojd Mejveder do ta fitonte këtë sfidë të dytë mes tyre. Përballja e parë mes tyre zhvilluar më 26 gusht u fitua me “KO teknik” në raundin e dhjetë nga Mejveder, që korri suksesin e 50-të si profesionist dhe qëndroi i pamposhtur në karrierën e tij. Por MekGregor beson se nëse do të kishte një mundësi të dytë rezultati do të ishte ndryshe dhe boksieri amerikan do të pësonte disfatën e parë, deklaratë që erdhi gjatë prezantimit të dokumentarit “Notorius”.
Duke folur për “Sky News”, sportisti irlandez tha. “Floyd e ndryshoi 3 herë gjatë përballjes stilin e tij të të dueluarit. Herën e tretë përdori stilin meksikan, pasi dështoi në dy stilet e mëparshme ndaj meje. Stili i tretë më kapi në befasi, pasi ai asnjëherë nuk ka dueluar në atë mënyrë. Unë nuk isha përgatitur për atë stil boksimi. Për këtë arsye, e respektoj, por nëse do të përballeshim sërish në ring do ta mundja. Do të isha më i përgatitur”, u shpreh Konor MekGregor, që pritet të rikthehet në kafaz për të mbrojtur titullin kampion të peshës së lehtë.