Vetëm integriteti sjell kontekst të ri psikologjik në shoqëri, atë që unë e kërkoja fillimisht në këtë shkrim: NDRYSHIMIN dhe BESIMIN! Sepse, mjafton vetëm një gënjeshtër e vogël e të rrënojë reputacionin e integritetit! Ndaluni e mendojeni, se sa rrena i keni kapërdisur përgjatë këtij rrugëtimi të nderuar votues, që të më mirëkuptoni se faleminderimi duhet t’iu drejtohet Juve, e askujt tjetër!
Nga Adelina MARKU
Lëvizën gjërat! Më në fund, lëvizën! Ky shtet bëhet anëtar i NATO- s . Në thelb ky është hap i madh, është dyndje kapitale për vendin, është ngjarje e madhe sepse materializohet shndrimi i shtetit në risinë e familjes së interesave botërore gjeostrategjike…! Por, sa jemi në gjendje këtë qarkullim energjie t’a kuptojmë drejtë – sot nevojitet të jetë jo vetëm monologu por debati i madh në vend! Ne jemi tkurrur e letargjizuar aq shumë e aq gjatë kohë saqë nuk jemi në gjendje të kuptojmë këtë lëvizje tektonike të vendit! Pra, është si puna e ligjit të parë të Njutnit çdo trup ruan gjendjen e të qënit në prehje ose të lëvizjes drejtvizore të njëtrajtshme, përsa kohë mbi të nuk veprojnë forca të jashtme- kështu thotë ligji!
E kur e mendoj hollë e gjatë , shoqëria tek ne nuk ndryshoi asnjëherë e vetënxitur nga brendavetja, por ky ndryshim gjithmonë u diktua nga jashtë! E kjo nuk është mirë sepse kulturën për ndryshim neve refuzojmë t’a pranojmë si kulturën e re të të jetuarit e vepruarit në këtë shoqëri. Kjo e fundit vazhdimisht tregon një tendencë që të shpëtojë duke ndenjur në zonën e komforit dhe shpëtimi është i pamundur pothuajse, ngase i njëjti duhet zëvendësuar me fjalën iniciativë e angazhim për ndryshim konteksti tanimë! Si t’a kuptojmë më butë ndihmën nga jashtë? Nisuni nga vetja pra, kur shpesh nuk je i/e vetëdijshëm/e për kapacitetin që ke e kur tjetri të nxit të mirënjohësh vlerat e tua, kjo në esencë do të thotë se tjetri të tregon një respekt e për më shumë të thotë se kemi besim në ty. Ose, dëshiron të të nxisë të mendosh ndryshe për veten. T’a do të mirën ! Dhe përsëri, nisuni nga vetja sërish e kujtoni se si iu keni mbijetuar fërkimeve të mëdha në jetën tuaj dhe pyesni veten nga perspektiva e sodit se këto fërkime të mbijetuara çfarë njeriu kanë bërë nga ti: më të mirë e me më shumë shpresë, apo më të lodhur e me më shumë frustrime. I referohem shembullit tënd i/e nderuar lexues/e, ngase shpesh dij të projektoj shtetin përmes cilësisë së jetës tënde, përmes pritjeve tua, përmes dëshpërimeve të mëdha, përmes gëzimeve që në thelb duhen të jenë jo vetëm të çastit, orgazmike do i quaja unë, por ndryshime rigjeneruese të endorfinës shoqërore në vazhdimësi. Kësisoj nevojitet të pranojmë realitetin e ri që e solli politika vërtet, por që ishte dëshira e votuesit në thelb; hyrja e shtetit në familjen e madhe të NATO-s që gjeostrategjizon paqen dhe zhvillimin botëror duhet parë përtej ligjit të parë të Njutnit pra. Duke mos humbur shumë kohë nëse e arritëm vetë këtë integrim ose na e bënë forcat nga jashtë por duke kapitalizuar tërë resurset e mbetura në shtet për të mobilizuar kontekstin e ri në shoqëri. Bëhemi anëtarë të NATO-s! Ky është konteksti i ri! Kuptimi i ri!
Të nderuar miq/ mikesha , në mendimin tim kjo është edhe sfida e re e debatit publik sot! Kjo analizë nevojitet bërë e folur sa më shumë nga ana jonë ngase pak nga ne e kuptojmë këtë familje si shans të ri, ose pak nga ne dimë ta kuptojmë nevojën e shoqërisë ku jetojmë nga shansi I ri. Shqiptarët ishin promotorë të idesë për integrim në NATO qysh në 1998-1999. Mos të harrojmë se sa të shumta ishin forcat toksike politike që i kundërviheshin kësaj ideje, ndërsa ishte përhershëm absolut verdikti i votuesit shqiptar për prurjen e epokës së re të zhvillimit në shoqëri. Ky verdikt i fuqishëm e absolut I votuesit shqiptar sot kapitalizohet! Por a ka kush të ketë thënë se avangarda dhe sakrifica e këtij procesi drejt NATO-s ishte votuesi e jo politika?
Të jesh faleminderonjës e mirënjohës është vlerë e madhe ! Bile do thoja unë , edhe kërkimi falje është vlerë e madhe . Kur njeriu shpërthen me faljen , faleminderimin dhe mirënjohjen , ai /ajo në të vërtetë shpall ndryshimin vetes , apo! Nuk ndodh ndryshimi pa prodhuar këtë diskurs të ri në narativin politik të përfaqësuesve tanë partiakë të cilësdo etnie qofshin ato! Prandaj, dilema ime është si vijon: si të bindësh qytetarin sot se roli i tij/saj ka qenë avangardë/sakrificë e vërtetë e këtij procesi drejt NATOs, e këtu edhe verdiktin absolut të shqiptarëve pro-NATOs? Është e thjeshtë sepse çdo gjë nis nga falja, faleminderimi e nga mirënjohja , nga respekti ; tre-katër kode gjuhësore këto që nuk i dëgjoj as edhe të përmenden si atribute gjuhësore politike , e as si gjest madje !Prandaj, këshilla ime përfaqësuesve politikë neë vend do ishte kjo : elita politike e sodit mbi të gjitha kërkohet të jetë faleminderonjëse, mirënjohëse e respektuese votuesve që pritën kaq gjatë këtë momentum historik, ose më saktë , janë elitat politike të këtij shteti që duhen t’iu faleminderohen votuesve të tyre për pritjen , durimin , ndoshta besimin e shpresën se kjo ditë do vijë! Nga tribunat e partive politike atë çka dëgjoj është se faleminderimi iu drejtohet fillimisht forcave nga jashtë që i ndihmuan këtij procesi ( është faleminderim legjitim) , e së dyti dëgjoj krekosjen e pompozitetin e partive veçmas për rolin e tyre gjatë këtij procesi të gjatë integrimi në NATO. Askush nga ta, nuk iu tha faleminderit votuesve të lodhur nga pritja e stërgjatë që i katandisi të zhyten në defetizëm e degdisur rëndë ekonomikisht …! Faleminderimi është gjest, falja po ashtu jo më shumë se mirënjohje dhe respekt, por dendur bart në vete cilësinë e ndryshimit të kontekstit psikologjik në shoqërinë ku jetojmë.
Kur integrohesh në një familje kaq të madhe gjeostrategjike nuk duhesh ndjerë i rastësishëm aty, sepse do të të nëpërkëmbin; duhesh thirrur në integritet. Vetëm integriteti sjell kontekst të ri psikologjik në shoqëri, atë që unë e kërkoja fillimisht në këtë shkrim: NDRYSHIMIN dhe BESIMIN! Sepse, mjafton vetëm një gënjeshtër e vogël e të rrënojë reputacionin e integritetit! Ndaluni e mendojeni, se sa rrena i keni kapërdisur përgjatë këtij rrugëtimi të nderuar votues, që të më mirëkuptoni se faleminderimi duhet t’iu drejtohet Juve, e askujt tjetër!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)