Arton Zekaj ka vendosur t’i bashkohet Kosovës U-21 pasi kishte luajtur më parë për ekipin U-17 të Serbisë, ku ishte edhe kapiten. Serbët kanë mbetur të shokuar me vendimin e talentit shqiptar. Arton Zekaj ka vendosur përfundimisht të luajë për Kosovën, shkruan Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha. Talenti shqiptar është lindur në Beograd dhe ishte rritur në Serbi, vend të cilin e kishte përfaqësuar në grupmoshat U-17, ku ishte edhe kapiten.
Mirëpo, 19 vjeçari së fundmi e zgjodhi Kosovën pasi nuk pati shenja se do të ftohej nga ekipi U-21 apo A i Serbisë. Dhe, me vendimin e tij janë shokuar serbët. Mediat e vendit fqinj kanë shkruar për një vendim, sipas tyre të pazakontë dhe të papritur.
“Futbollisti serb vendosi ta lë Serbinë. Ai e ka thënë fjalën e tij dhe e ka shokuar opinionin me vendimin për të luajtur për Kosovën”, shkruan e përditshmja serbe “Alo” në versionin e saj online.
Edhe mediat tjera serbe i kanë kushtuar rëndësi dhe hapësirë vendimit të mesfushorit defanziv të ekipit francez Lille, duke e akuzuar atë për vendimin e marrë, sipas tyre, për të luajtur për një të ashtuquajtur shtet.
Megjithatë, Kosova është bërë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s nga viti 2016 dhe i gëzon të drejtat si të gjitha vendet tjera në botë.