Debutimi në edicionin e ri të Ligës së Kampionëve i Juventusit ka qenë më shumë se pozitiv: 2-0 në fushën e Valencias, pavarësisht inferioritetit numerik nga minuta e 29-të e lojës, kur arbitri Felix Brych tregoi kartonin e kuq për Cristiano Ronaldon.
Ky vendim i gjyqtarit gjerman nuk është pritur mirë nga menaxhmenti i Juventusit, sidomos nga Pavel Nedved, i cili fillimisht ishte i angazhuar për të ngushëlluar Ronaldon, i cili u shfaq tepër i dëshpëruar në dalje nga fusha.
Siç është raportuar nga “Marca”, së bashku me dy liderë të tjerë të Juventusit, zëvendëspresidenti bardhezi e ka pritur Brych në tunelin e stadiumit, që të çon në dhomat e zhveshjeve. Kjo ka ndodhur në pushimin mes dy pjesëve të lojës. Nedved ka kërkuar sqarime shtesë nga arbitri gjerman për një vendim të tillë, nxjerrjen me karton të kuq të Ronaldos.
Thirrjet me zë të lartë të drejtuesit juventin nuk janë marrë as në konsideratën më të vogël nga “bilbili” gjerman, i cili vazhdoi ecjen e tij pa u ndalur për të folur, siç donte qartësisht Nedved.
Tani mbetet për t’u parë nëse UEFA nuk e konsideron episodin e Ronaldos me Murillo seriozisht, për të dhënë ndonjë ndëshkim shtesë. Nuk është një moment i mirë në këtë aspekt për Juventusin, që tashmë është duke luftuar me skualifikimin prej 4 ndeshjesh të Douglas Costa në Seria A.