Mats Hummels është futbollisti më i ri i Borussia Dortmund dhe pritet vetëm zyrtarizimi nga klubet. Lajmi publikohet nga Kicker, që raporton se Dortmundi do të paguajë 38 milionë euro, shifër që përfshin disa bonuse, për aktivizimin dhe sukseset e mundshme.
Para 3 vitesh Hummels la Dortmundin për Bayernin për 35 milionë euro, ndaj bavarezët dalin me fitim në këtë mes.
Qendërmbrojtësi 30-vjeçar ka luajtur 118 ndeshje për kampionët e Gjermanisë, duke shënuar 8 gola, por sezonin e fundit nuk ishte zgjedhje primare e trajnerit Niko Kovac.
Ditët e fundit Hummels kishte arritur marrëveshje me Dortmundin për një kontratë 3-vjeçare, duke ulur pagën që kishte në Mynih, ndërsa Dortmundi i garanton vazhdimësi në aktivizim.
Kur u largua nga Dortmundi Hummels u etiketua si tradhtar, ndaj tashmë i duhet të rifitojë edhe zemrat e tifozëve në Dortmund.