Jude Bellingham është një nga lojtarët më të kërkuar në merkato. Mesfushori anglez ka filluar sezonin e tretë me Borussia Dortmund, që shpenzoi 25 milionë euro për ta blerë nga Birminghami dy vite më parë.
19-vjeçari anglez është kthyer në liderin e mesfushës së verdhezinjve gjermanë, teksa numëron edhe 15 ndeshje me kombëtaren angleze. Klube si Liverpool, Real Madrid, Manchester City, Manchester United dhe Chelsea po garojnë për shërbimet e tij.
Drejtuesit e Dortmundit e kanë të qartë potencialin e Bellingham dhe kanë vendosur edhe çmimin që duhet paguar për shërbimet e tij: 150 milionë euro, ndryshe gjashtë fish krahasuar me shumën me të cilën u ble në korrikun e vitit 2020.
Pavarësisht kërkesave të larta nga merkatoja, drejtuesit e klubit gjerman shpresojnë të rinovojnë kontratën me lojtarin e talentuar. Aktualja i përfundon në verën e vitit 2025.