E kërkojnë gjigantët e Europës, De Ligt përfundon në “Ishullin e Derrave” (VIDEO)

De Light është emri më i lakuar i merkatos së kësaj vere. Talenti holandez duket se ka angazhuar në një rivalitet maksimal klube të tilla si Barcelona, Juventus, PSG etj. Kapiteni në ikje i Ajax, edhe pse 19 vjeç, po joshet nga shumat marramendëse, ndaj nuk është fare çudi që një klub del sot në “pole position” për të, ndërsa nesër një tjetër. Gjërat përmbysen sa hap e mbyll sytë, falë potencialit që ka vetë futbollisti, por edhe mjeshtërisë në kësi rastesh të menaxherit Mino Raiola.

Pavarësisht se mediat europiane ndalen disa herë në ditë tek ai, për të projektuar të ardhmen, vetë De Light vijon i qetë pushimet me partneren, AnneKee Molenaar. Çifti VIP ka përfunduar duke notuar deri në… “Pig Beach” (Ishullin e Derrave). Sikurse duket në këtë video, të publikuar nga “Mundo Deportivo”, De Light dhe e dashura e tij nuk hezitojnë të luajnë me kafshët e egra, por dashamirëse, prej të cilave ka marrë edhe emrin ky plazh, madje t’i ushqejnë me karota e të shijojnë të njëjtin ujë deti me to.

“Pig Beach”, gjithashtu i njohur si “Pig Island”, është një ishull i pabanuar, që ndodhet në Exuma të Bahamas. Ishulli e ka marrë emrin e tij jozyrtar nga fakti se është i populluar nga një koloni derrash të egër, që jetojnë në ishull dhe në zonat përreth.