Delvina KËRLUKU
Sanije Sadiku, e lindur në fshatin Sërbicë të Kërçovës. Rrjedh nga një familje arsimdashëse me tradita kombëtare, ku shkollimi i femrës nuk paraqiste problem. Pesë motra dhe një vëlla, të gjithë u shkolluan. Shkollën fillore e filloi në “Skenderbeu” në fshatin Sërbicë, kurse e kreu në SH.F. “Sande Shterjoski” dhe gjimnazin në “Mirko Mileski” , në Kërçovë. Në vitin 1983/84 regjistrohet në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Kosovës. Diplomoi në mars të vitit 1988, me sukses të shkëlqyeshëm dhe mori titullin inxhinier i diplomuar i agronomisë. Pas mbarimit të fakultetit, për shkak të rrethanave të asaj kohe, nuk u krijuan kushte për punësim dhe pas një pauze të gjatë, për herë të parë punësohet në korrik të vitit 1997, në Komunën e Osllomesë, si referente për çështje të përgjithshme. Në maj të vitit 2000 emërohet udhëheqëse në Njësinë rajonale për kullosa në Kërçovë, q përfshinte edhe qendrat e Makedonski Brod, Demir Hisar dhe Krushevë. Në zgjedhjet lokale të vitit 2000 emërohet kryetare komune në Osllome, si femra e parë shqiptare, të cilin mandat e fitoi edhe në zgjedhjet lokale 2005 – 2009, ku përsëri ishte e vetmja shqiptare.
KOHA: Keni qenë kryetare e Osllomesë, komunë kjo që shtrihej në verilindje të Kërçovës. E vetmja femër shqiptare deri atëherë, si kryetare e një komune në Maqedoni. Si arritët të ngjiteni në këtë komunë dhe cili është kontributi juaj në mandatin katër vjeçar?
SADIKU: Stereotipet kundrejt femrës dhe pozitës së saj në poste publike, janë një realitet i hidhur që përcillet nga frika e dështimit, frika e paragjykimeve, të cilat janë mekanizmat kryesorë që e ndalojnë kreativitetin e tyre. Gruas shqiptare duhet t’i ofrohet rasti që të marr pjesë në proceset politike në vend, sepse atributet e tyre janë të pamohueshme. Ishin ato nëna që rrinin të uritura për të na ofruar kafshatën e fundit, janë ato nëna që rritën heronjtë dhe mendjet e ndritura të këtij vendi dhe është përkushtimi i po atyre nënave që qëndrojnë të palëkundura përpara çdo stuhie. Unë isha vetëm një lajmëtare e kohës, për herë të parë garonim për pushtetin lokal gjinia femërore si nga pala shqiptare, po edhe maqedonase. Të pakta ishin edhe gjatë fushatës zgjedhore. Nga 123 komuna që ekzistonin atëherë, vetëm në tri komuna iu dha besimi të udhëhiqeshin nga kryetare gra, edhe atë komuna Qendër në Shkup, Miravci në Gjevgjeli dhe unë në Komunën e Osllomesë. Më duhet të theksoj se atëbotë nuk pati asnjë femër në Këshillin e komunës. Gjatë ushtrimit të funksionit të kryetarit në të dy mandatet, u përkushtova në realizimin e projekteve që kishin të bëjnë me sigurimin e ujit për pije, si një nga problemet kyç të popullatës, pasi nga puna e termocentralit të Osllomesë, shterën puset nga ku furnizoheshin me ujë banorët e kësaj ane.
Fal ndihmës së institucioneve të vendit, ambasadave të huaja, si ajo e Norvegjisë, Zvicrës, pastaj USAID, UNDP, SIP etj., arrita së paku të zgjidh problemin e ujit si dhe disa projekte të kanalizimit, infrastrukturës rrugore, ndërtimin dhe rekonstruimin e shkollave, urave, aktivitetet kulturore dhe sportive. Paralelisht me kryerjen e detyrave si kryetare komune, jam marrë edhe me aktivitete tjera me interes shoqëror dhe kombëtar.
Nga viti 2009 vazhdova të punoj si këshilltare për veprimtari publike në Komunën e Osllomesë.
Me bashkimin e komunave punoj si udhëheqëse e njësisë për arsim, sport, mbrojtje sociale dhe shëndetësi në Komunën e Kërçovës.
KOHA: Ju zgjidheni për së dyti si kryetare e Komunës së Osllomesë. Kjo do të thotë se çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një komune?
SADIKU: Sfera e qeverisjes lokale është më e afërt me qytetarët. Po edhe mandatin e dytë ishim vetëm tri gra kryetare komune në nivel të Maqedonisë, në Komunën Qendër, Krushevë dhe unë në Osllome. Por, tani në këshillin e komunës ishin 5 këshilltare femra. Kryesisht projekte që kanë të bëjnë me kompetencat e ligjit për pushtet lokal infrastrukturën, planifikimin urban dhe rural, mbrojtjen e ambientit, veprimtaritë publike si arsimi, kultura, sporti, mbrojtja sociale dhe e fëmijëve etj.
Si kryetare komunë të vetmin privilegj kam pasur takimin me politikanë të mëdhenj botërorë, që mund të konsiderohen me të drejt dhe meritë njerëz të famshëm, si për shembull, me sekretarin Shtetëror amerikan, Kolin Pauell, ambasadorë, institucione të ndryshme gjatë udhëtimeve zyrtare si në: ShBA, Shqipëri, Hungari, Gjermani, Suedi, Itali, Bullgari, nga të cilat fiton përvojë institucionale.
Në Piza të Italisë ka marrë pjesë në miratimin e Kartës evropiane për barazinë e femrave dhe meshkujve në jetën lokale, e përgatitur nga Këshilli i komunave dhe rajoneve evropiane. Kjo kartë ju drejtohet të gjitha qeverive lokale dhe rajonale të Evropës, të cilat janë të ftuara ta nënshkruajnë, të bëjnë përbetimin formal publik për parimet e barazisë të femrave dhe meshkujve dhe ta implementojnë brenda territorit të tyre.
Angazhimi dhe lobimi i fuqishëm brenda katër viteve me dy kryetaret tjera femra, lobin e grave në RM, sektorin për barazi gjinore pranë Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale arritëm të fitojmë kuotën prej 30 për qind që në listat zgjedhore për këshilltarë të jenë femra. Ashtu që në mandatin e dytë 2005 -2009 nga 15 anëtarë të këshillit, 5 ishin femra që do të thotë 30 për qind.
KOHA: Keni qenë pjesë edhe më herët e kësaj Komune. Duke i njohur problemet e komunës tuaj, arritët të merrni në dorë që t’i përmirësoni. Në fakt, çfarë problem e kanë preokupuar këtë komunë në të kaluarën dhe sot?
SADIKU: Kryesisht probleme të infrastrukturës që kishin të bëjnë me sigurimin e ujit për pije, kanalizimit, infrastrukturës rrugore, ndërtimin dhe rekonstruimin e shkollave, urave, aktivitetet kulturore dhe sportive, zhvillimi i qëndrueshëm, planifikimi urban dhe lokal, zhvillimi ekonomik, mbrojtja e mjedisit jetësor etj.
KOHA: Jeni inxhiniere e agronomisë. Përse zgjodhët këtë profesion, aq më shumë për një femër?
SADIKU: Bëhet fjalë për vitet 1983 – 1984. Atëherë, po edhe sot, profesioni agronome ishte deficitar, shpresa për të ardhur më shpejt te punësimi, por për shkak të rrethanave të asaj kohe, të diplomuarit në Kosovë etiketoheshin si të papërshtatshëm për vendin. Pas një pauze dhjetëvjeçare punësohem, por fatkeqësisht kurrë nuk e ushtrova profesionin e agronomes.
KOHA: Politika bujqësore synon të rris produktivitetin e bujqësisë, të sigurojë një nivel jetese të drejtë të popullsisë që merret me bujqësi, të stabilizojë tregjet, të garantojë sigurinë e furnizimeve, të sigurojë çmime të arsyeshme për konsumatorët. Këtyre u shtohen dhe parimet e respektimit të mjedisit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, që të rrisë besimin dhe bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar. Si i shihni politikën bujqësore, në Maqedoni?
SADIKU: Politikat bujqësore përcaktojnë objektivat, masat dhe programimin e zhvillimit bujqësor dhe rural, të shërbimeve publike bujqësore, të kërkimit dhe trajnimit profesional, si dhe bazën e të dhënave dhe informacionin për politikat në sektorët e bujqësisë dhe të zhvillimit rural.
KOHA: Maqedonia, aktualisht importon një numër të konsideruar të prodhimeve, duke filluar nga lënda e parë, prodhimeve bujqësorë të gatshme, por edhe ushqime. Për të aplikuar të arriturat dhe risitë nga lëmi i Ekonomisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, shteti duhet të kontribuojë në shtimin e rendimenteve për njësi të prodhimit dhe sigurim të mjaftueshëm të ushqimit për vendin, po edhe me gjerë. Si e shihni rritjen e rendimenteve të prodhimit në RM?
SADIKU: Në Bashkimin Evropian, politika bujqësore e përbashkët (PAC) është një prej politikave më të vjetra dhe më të rëndësishme të politikave të përbashkëta të BE (rreth 35 % e buxhetit evropian, nga e cila 45% përdoret për zhvillimin rural). Ajo synon të rrisë produktivitetin e bujqësisë, të sigurojë një nivel jetese të drejtë të popullsisë që merret me bujqësi, të stabilizojë tregjet, të garantojë sigurinë e furnizimeve, të sigurojë çmime të arsyeshme për konsumatorët. Këtyre u shtohen dhe parimet e respektimit të mjedisit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, që të rris besimin dhe bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar.
KOHA: Çfarë do të thotë për Ju, politikë, është aq e vështirë ajo në Maqedoni, aq më shumë për një femër?
SADIKU: Gjatë vijimit të studimeve në Prishtinë, të gjithë studentët nga Maqedonia, Presheva Malësia e Tuzit interesoheshin për fatin e kombit, që ishte një represion i dyfishtë ideologjik dhe institucional, duke u munduar të ndryshojnë realitetin që sundonte. Këto synime permanente, njeriun e shtyjnë që të bëjë diçka sadopak të dobishme për popullin, respektivisht e shtyjnë që të ndjekë rrugën e vështirë të politikës. Pra, një përfaqësim i barabartë i grave në politikë, është parakusht për funksionimin e demokracisë, për ndryshime sociale dhe zhvillim ekonomik. Gratë kanë interesa, nevoja dhe eksperienca të ndryshme nga burrat dhe këto interesa mund të përfaqësohen vetëm nga gratë e jo nga burrat dhe për këtë arsye duhet të ketë përfaqësim të barabartë të dy gjinive.
KOHA: Një politikan mendon për zgjedhje të ardhshme, kurse një udhëheqës shteti apo komune mendon për brezin e ardhshëm. Si mendoni?
SADIKU: Koha i ka dëshmuar të gjitha se dominimet e çfarëdo lloji qofshin janë “boomerang” i rrezikshëm etnopolitik, janë përjetuar eksode etnike dhe politike, por realiteti faktik ka mbetur i njëjtë. Është e ditur se e keqja nuk mund të mbisundojë të mirën, është një ligj hyjnorë dhe shoqërorë që nuk mund të ndryshojë. Qytetarët presin mirëqenie, begati dhe përparim në sferën institucionale, ekonomike, sociale, juridike, të shkrihen dallimet e imponuara, favoret e pamerituara.
KOHA: Si udhëheqëse e sektorit të arsimit, në komunën tuaj, çfarë mund të na thoni për ecurinë e arsimit në Maqedoni, veçmas në Komunën e Kërçovës?
SADIKU: Arsimi fillor dhe ai i mesëm në Republikën e Maqedonisë është i garantuar me ligj dhe i obliguar. Në Komunën e Kërçovës kemi nëntë shkolla fillore dhe dy shkolla të mesme.
Brenda spektrit të kompetencave mundohemi të sigurojmë dhe promovojmë qasje të barabartë për edukimin dhe trajnimin profesional dhe të vazhdueshëm për të gjithë. Me keqardhje mund të konstatoj se numri i nxënësve në vitet e fundit është në rënie.
Qëllimi për t’u ngritur rejtingu i Maqedonisë në nivel të matjeve ndërkombëtare të shkallës së arsimimit mund të arrihet së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Byrosë për zhvillim të arsimit me mësimdhënësit, me prindërit, me nxënësit dhe me mbështetje të organizatave joqeveritare. Reformat janë të domosdoshme.
KOHA: Të jesh nënë, do të thotë të jesh drita e shtëpisë. Grua, krahu i djathtë i burrit. Kryetare e komunës, kujdestare e banorëve. Cila është vlera më e madhe që keni?
SADIKU: Një femër sot është një vajzë, një grua, bashkëshorte, mjeke, gazetare, politikane, misionare, mësuese, e me radhë dhe për të ofruar më të mirën e saj në familje dhe shoqëri, ajo duhet të jetë prezent, aktive në rolin e saj dhe me përkushtim, dashuri dhe përgjegjësi të ofroj modelin dhe kontributin e saj. Jam bashkëshorte, nënë e tre fëmijëve: Gëzimit, Arbënorës dhe Arbërinës. Më duhet të theksoj se mbështetja e bashkëshortit, familjes më të ngushtë, kolegëve dhe rrethit ku jetoj dhe veproj nuk më kanë munguar. Më lejoni t’ju shpreh të gjithëve falënderim publik. Ne duhet të ofrojmë modelin tonë pa u lodhur çdo ditë, sepse kemi të gjithë nevojë për një jetë më të mirë, për dialog dhe bashkëpunim. Pa këto ne nuk do mund të jemi dot të realizuara si pjesëtare të shoqërisë që i përkasim. E rëndësishme është se çfarë do bëjnë gratë me veten e tyre, për të pasur të garantuara në mënyrë integrale të drejtat e qytetarisë femërore në familje dhe shoqëri, si vlera dhe cilësi universale për të qenë qytetare të barabarta dhe të vlerësuara si të tilla në familjen dhe shoqërinë shqiptare…
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.