Tiranë, 6 korrik – Shqipërinë e pret e hëne e ngrohtë në planin politik. Parlamenti do të debatojë për formimin e komisionit anketues për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, ndërsa opozita do të mbajë “protestën kombëtare” të 10-ën me radhë.
Protesta e opozitës së bashkuar fillon në orën 20:00, për çka spikeri i parlamentit, Gramoz Ruçi seancën në vend se në orën 18:00 e ricaktoi për një orë më herët.
Seanca është me pikën e vetme të rendit të ditës, formimin e komisionit anketues për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, me propozim të Komisionit ligjvënës parlamentar.
Më 26 qershor Komisioni me 13 vota “për” dhe vetëm një “kundër” solli vendim që t’i propozohet Parlamentit formimi i komisionit anketues, pas kërkesës së dorëzuar të nënshkruar nga 55 deputetë të grupit parlamentar të socialistëve në pushtet, por edhe nga opozita e re parlamentare.
Formimi i komisionit anketues duhet të hetojë se a e ka shkelur presidenti Ilir Meta Kushtetutën me dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale. Paraprakisht dekretin si të pavlefshëm e vlerësoi Komisioni Qendror Zgjedhor, pa votën e presidentit, si dhe Kolegji Zgjedhor.
Opozita, protestën, si zakonisht do ta fillojë para Qeverisë e pastaj para shtëpisë ligjvënëse.
Lideri i demokratëve opozitarë, Lulzim Basha duke iu bërë thirrje qytetarëve për masovitet sa më të madh porositi se “nuk ka asnjë hap prapa në qëllimin e opozitës e cila lidhet me largimin e kryeministrit Edi Rama”.
“Të hënën, më 8 korrik në ora 20:00, bashkohemi të gjithë në Tiranë kundër diktaturës së krimit, bashkohemi në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, bashkohemi kundër bandës që grabit gjithçka, bashkohemi për familjet dhe fëmijët tuaj,për Shqipërinë si Evropë. Asnjë hap pas! Rama ik”, shkroi Basha në profilin e tij në Fejsbuk.
Protestën e fundit opozita e mbajti më 22 qershor, e cila sipas organizatorit ishte më masivja me pjesëmarrje të mbi 120.000 mijë njerëzve nga të gjitha pjesët e vendit. Edhe pse më masivja, ajo protestë kaloi qetë, për dallim nga ato parapraket kur protestuesit, gjuanin koktej molotov, mjete piroteknike, mjete të forta drejtë policisë dhe ndaj objekteve ndërsa në thyerjen e tyre policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji. Kishte të lënduar nga të dyja anët, por më së shumti policë dhe të arrestuar dhjetëra pjesëmarrës në protestë.