Sulmuesi i Canelas 2010, Marco Goncalves është përjashtuar përjetë nga klubi i tij pasi e ka goditur me gju referin në fytyrë, edhe pse ai deklaron se nuk i kujtohet ta ketë bërë një gjë të tillë. Ky sulm shkaktoi kaos në fushë dhe policia hyri në fushë për ta qetësuar tensionin, ndërsa ndeshja u ndërpre, shkruan zeri.info. Turbullirat nisën kur Goncalves u zu me mbrojtësin kundërshtar, të cilin e dërgoi në tokë pasi e goditi. Më pas intervenoi menjëherë referi, duke e ndëshkuar me karton të kuq, e më pas lojtari i dalë nga kontrolli e goditi edhe referin. Ndodhi kjo në ligat rajonale portugeze. “Nuk e mbaj në mend ta kem goditur. Ai më shtyu”, deklaroi futbollisti portugez për “SIC”, raporton zeri.info. “Ju po më thoni se e kam goditur me gju, ndoshta është kështu. Nëse ka ndodhur kjo, i kërkoj falje referit dhe familjes së tij”, ka thënë Goncalves, i cili pritet të dënohet rëndë, me disa vite moslojë, nga Federata Portugeze e Futbollit.