Marash Kumbulla tashmë është një realitet i ri në botën e futbollit Europian. Paraqitjet e tij me Veronën kanë tërhequr vëmendjen e të gjithë klubeve “big” të Europës, ndërsa pas 19-vjeçarit tashmë në garë është futur edhe Liverpuli. Sigurisht, ndeshja e fundit në kampionat përballë Juventusit ishte një test i rëndësishëm për shqiptarin. Por, Kumbulla nuk u druajt aspak përballë Ronaldos me shokë.
Përkundrazi, bëri një nga paraqitjet më të mira sezonale teksa shënoi një gol që për çështje milimetrike iu anulua nga VAR, ndërsa më pas fitoi penalltinë që i dha fitoren të tijve përballë kampionëve të Italisë. Dhe, këto ishin një bonus për paraqitjen e tij pasi bëhet fjalë për sulmin dhe Marashi është një mbrojtës.
Sigurisht, në atë sfidë asnjë nuk ia doli të kalonte nga anët e tija. Kështu, kampionët e Europës në fuqi, Liverpuli po monitoron futbollistin dhe janë të fundit që i janë shtuar klubeve kandidatë për Kumbullën. Në listë gjenden emra prestigjiozë si Mançester Siti, Çelsi, Everton për të kaluar më pas në Itali me Inter, Lacio dhe Napoli.