Kanë ndodhur dhjetëra vrasje si nëpër filma, ndërkohë që kryerësit në mënyra të ndryshme kanë arritur ti ikin drejtësisë, por nga MPB thonë se ndonjëherë drejtësia është e ngadalshme por arrin
Destan JONUZI
Shkup, 25 gusht – Uniformat blu të Maqedonisë së Veriut u kanë shpallur luftë ndërkombëtare 65 shtetasve të cilët kanë kryer vepra të rënda penale dhe i kanë ikur drejtësisë për vite të tëra. Ata kërkohen me fletarrest ndërkombëtar, ndërsa akuzohen për vepra të rënda penale vrasje, pedofilizëm, trafikim me qenie njerëzore, drogë etj, shkruan gazeta KOHA.
Edhe pse Maqedonia e Veriut ka bashkëpunim me Interpolin për vite të tëra disa nga të kërkuarit nuk mund t’i vë në pranga. Madje ka nga ata që në mënyrë perfide i ikin drejtësisë për më shumë se 20 vite. Mes të akuzuarve për vrasje, ndaj të cilit për 21 vite ka fletarrest ndërkombëtar është edhe Ace Bocevski – Ciganot nga Shkupi. Ai nofkën Ace Ciganot e fitojë pas një ndërhyrje të dhunshme në diskotekën ‘Hard Rok’ në Shkup, ndërsa policia po e kërkon për vrasjen e biznesmenit shqiptar Sead Ibrahimi nga Draçeva e Shkupit. Ai ka vrarë me armë zjarri Ibrahimin, në vitin 1998. Vrasjes i ka paraprirë ndjekja disa minutëshe me automjete nëpër rrugët e qytetit të Shkupit. Vetura “Mercedes” të cilën e drejtonte Ibraimi, ka dalë nga rruga në afërësi të ndërtesë së kompanisë së sigurimeve “Kjubi”, ndërsa pas tij ishte Cigani i cili ka nxjerrë revolverin dhe ka shtënë në drejtim të Ibrahimit.
Sipas informacioneve që u plasuan pas vrasjes Bocevski e ka kryer vrasjen ndaj Ibrahimit pasi që ky i fundit e ka rrahur në mënyrë brutale. Një version tjetër jo-zyrtar është se pushteti i atëhershëm i Branko Cërvenkosvkit i ka pasur borxh në para Ibrahimit për pajisjen që ai i ka bërë MPB-së me motoçikleta nga Zvicra. Bocevski i dënuar me 15 vite burg që nga 30 qershor i vitit 1998, e që njëherë ka qenë në burg dhe në mënyrë misterioze është liruar në liri dhe ka arritur të ik nga shteti.
Me fletarrest ndërkombëtar kërkohet edhe ish-drejtori i Doganave të Maqedonisë, Dragan Daravellski. Atë në Maqedoni e pret vuajtje e dënimit prej 7 vite për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Ai për vite të tëra ka arritur ti ik ligjit. Sipas dëshmive ai arrin me sukses të ik nga drejtësia duke shfrytëzuar shtetësinë e tij të dyfishtë serbe, ku edhe po jeton në Beograd. Flitet se jeta e tij në Beograd është tepër luksoze dhe nuk ngjason me një njeri që kërkohet me flet-arrest ndërkombëtar.
Statistikat e MPB-së flasin se 90 për qind e kriminelëve të cilët kërkohen me fletë-arrest ndërkombëtar kanë shtetësi maqedonase. Ndërsa, nga ata që i kërkon Interpoli ka edhe të tillë që kanë kryer vjedhje të rënda në shtete të ndryshme. Mbi 10 të kërkuar kërkohen për vjedhje në të kryera në Kroaci, por ka edhe të akuzuar që kanë kryer vjedhje të rënda në Gjermani, Slloveni, Amerikë, Shqipëri etj.
“Ndonjëherë drejtësia është e ngadalshme por arrin”, thonë nga MPB-ja, duke mos dhënë më shumë detaje përveç se statistikës për këto raste. Numri i vrasësve që kërkohen me flet-arrest ndërkombëtar shtohet, ndërsa mbeten të pa zbardhura shumë vrasje “filmike”. Në gusht të vitit të kaluar në Strugë në lokalin e tij u vra Dilaver Bojku – Loku, i cili për opinionin ishte i njohur si mbreti i prostitucionit. Vrasësi i panjohur, me motorin me të cilin kishte ardhur për ta kryer vrasjen kishte arritur të ik në drejtim të panjohur.
Mile Haxhiski në vitin 1993, kur kishte vetëm se 21 vjet e vrau Meri Joshevskën duke e goditur 40 herë me thikë në gjithë trupin. Një nga vrasjet më të egra në Maqedoni, e cila ka ndodhur në 18 qershor të vitit 1993 në bulevardin “Avnoj” numër 104 në Shkup. Zënka midis Haxhiskit dhe Joshevskës ka ndodhur në banesën e tyre. Ai fillimisht e ka ngulfatur me duar dhe më pas ka filluar ta therë me thikë në pjesën e kokës dhe barkut. (koha.mk)