Edoardo Reja ka gjetur akordin me FSHF-në dhe pritet që të zyrtarizohet dhe prezantohet ditën e mërkurë në ambjentet e Federatës Italiane të Futbollit. Megjithatë, trajneri italian ka nisur nga puna e tij si kuqezi.
Pas problemit të lidhur me ndihmësin e përzgjedhur nga 73-vjeçari, Alessandro Calori (nuk do të vijë pasi Ternana nuk i ka dhënë “ok” për prishje kontrate), ish-tekniku i Lazios dhe Napolit ka udhëtuar në Bergamo. Motivi? i lidhur me aventurën e re, si pasues i Christian Panuçit. Sipas asaj që ka mësuar Telesport, trajneri italian ka qenë në tribunën e “Atleti Azzurri” të Bergamos, ku ka ndjekur sfidën mes Atalantas dhe Empolit. Motivi? Tre shqiptarë që luajnë me dy skuadrat. Megjithatë, jo çdo gjë ka shkuar siç e parashikonte.
Trajneri i Atalantas, Gasperini, ka lënë në stol si Etrit Berishën, ashtu edhe Berat Gjimshitin, që janë dy pika të forta të kombëtares. Kështu, Reja ka marrë shënime vetëm për Frederic Veselin, që ka zhvilluar një ndeshje të rëndësishme.
Trajneri më pas është takuar me futbollistët dhe ka biseduar me ata pas ndeshjes, por do të ritakohet në grumbullimin e parë. Sa i përket Berishës, prishtinasi ka humbur vendin e titullarit te Atalanta dhe po bën thuajse 2 muaj që qëndron në stol. Italiani Gollini ia ka marrë portën. Motivi nuk lidhet me probleme fizike, por me pasiguritë e shfaqur nga shtatlarti kuqezi në dy ndeshjet e fundit që ka luajtur titullar, ato në fund të shkurtit.
Bëhet fjalë për Atalanta-Milan dhe Torino-Atalanta. Të paktën tre gabime të rënda të portierit, që kanë sjellë edhe vendimin e Gasperinit për të zgjedhur Gollinin. Tani pritet të shihet nëse në Kupë, ndaj Fiorentinas, do të zbresë në fushë Berisha apo Gollini. Nëse italiani preferohet sërish, atëherë nuk përjashtohet mundësia që “Titi” të kërkojë largimin në fund të sezonit. Pikërisht Gollini, dy ditë më parë deklaroi: “Mes meje dhe Berishës ka respekt maksimal, nuk mund të them jam unë apo ai titullari. E zgjedh trajneri. Më pëlqen Etriti, sepse punon shumë dhe e kam si shembull për t’u rritur”.