Vlerësimi i Komisionit të Venecias për shqipen në gjyqësi, megjithatë, është jo aq qenësor, sepse sugjerohet kohë plotësuese për plotësim parakushtesh për implementim, e jo që e konteston tërësisht. Dhe koha, punon në favor të ligjit, e jo kundër tij. Është mirë që partnerët e koalicionit janë dakord që ligji të mbetet kështu si është, ndërsa çështjes së gjyqësisë t’i jepet shans për ekipim kadrovik, me ndonjë kohë shtesë
Nga Daut DAUTI
- KOMISIONI I VENECIAS I KA PËRZIER PARIMET?!
Nuk e besoj, ose më mirë thënë, nuk dua të besoj se Komisioni i Venecias të ketë rënë nën ndikimin e një anëtareje të saj. Nën ndikimin e Tanja Karakamishevës. Disa vlerësime, sikur t’i ketë argumentaruar ajo, ose sikur të ishin të ish-kryetarit Gjorge Ivanov dhe të VMRO-DPMNE-së, qeveria e së cilës “e delegoi” Kamishevën në Venecia. Populli ka thënë me kë do të rrish, ashtu bëhesh…
Por, është për të ardhur keq, që ndoshta nga hatri a kolegjialiteti, anëtarët e Komisionit të kenë rënë nën ndikimin e saj sa të kualifikojnë ligjin për gjuhët si “përtej” dokumenteve ndërkombëtare për pakicat dhe gjuhët rajonale dhe kushtetutës së Maqedonisë! Për fat të keq, një argumentim jo parimor dhe i paqëndrueshëm! Sepse, Komisioni i Venecias duhet të dijë atë që nuk e di me gjasë, se statusi kushtetues i shqiptarëve në pikëpamje terminologjike por dhe faktike, nuk është i pakicës. Por dhe duhet të dijë atë që është alfa e omega e të drejtave të njeriut: në dokumentet ndërkombëtare jepen garancitë për të mos u shkelur të drejtat e njeriut, jepet niveli nën të cilin nuk duhet të bien shtetet që janë obliguese t’i respektojnë. Pikërisht shtete të Bashkimit Evropian , disa sish, janë nën nivelin e garancive që japin dokumentet ndërkombëtare, ku jo që s’u jepet mundësia e përdorimit të gjuhës në komunikim me shtetin, por as u jepet e drejta e vetëdeklarimit. E kemi fqinjin jugor, Greqinë, si shembull ekzemplar për këtë, dhe kurrkujt kurrgjë. Kemi dhe shtete tjera me prezencë të madhe të pakicave, e që as në shkolla fillore nuk e mësojnë, e lere më t’u mundësohet përdorimi zyrtar i gjuhës së tyre. Por Komisioni i Venecias duhet të shikojë edhe praktikat “përtej”, ku ke “pakica” nën 5 për qind në ndonjë shtet evropian, dhe gjuha e tyre është zyrtare “përtej dokumenteve ndërkombëtare”. Pse Maqedonia, me një prezencë të elementit shqiptar më shumë se çereku i popullsisë, të mos iu bashkëngjitet shteteve si Finlanda, Kanada, Belgjika(gjuha gjermane është zyrtare, edhe pse ka shtet tjetër gjerman, a gjermanët në shtet përbëjnë 1 për qind!), Zvicra, Luksemburgu (me tri gjuhë zyrtare, ndonëse shtet unitar), Kazastani (me rusishten si gjuhë të dytë zyrtare)…
Po ku është “huqja” më e madhe e Komisionit me renome ndërkombëtare të Venecias? Është veçimi i problemeve të përdorimit të shqipes në gjyqësi? E keni parasysh për çka e kam fjalën? Përdorimi i gjuhës shqipe në gjyqësi nuk ka qenë kontestues as prej fillimit të pluralizmit, ndërsa me kohë ka ardhur duke u konkretizuar. Edhe më parë gjykata ka qenë e obliguar të sigurojë përkthyes nëse ndokush ka dashur(këtë të drejtë, bie fjala, e ka shfrytëzuar Rufi Osmani në gjykimin e tij për flamurin që në vitin 1997!) Shumë e logjikshme është që në gjyqësi, ku nuk ka qenë kontestuese asnjëherë përdorimi i gjuhës, të ketë avancim e konkretizim, përderisa avancimi është bërë edhe në fusha tjera.
Mirëpo, ka këtu një truk të vogël, më të cilën me gjasë bien në grackë gjithë ata që vërejtjet e Komisionit të Venecias ua ngrohu shpirtin dhe tash turravrap, para zgjedhjeve, duan ta kapitalizojnë për marketing politik, duke kërkuar ndryshime kushtetuese. Qëndrimi për gjyqësinë, megjithatë, është jo aq qenësor, sepse ai kërkon kohë plotësuese për plotësim parakushtesh për implementim, e jo që e konteston tërësisht. Dhe koha, punon në favor të ligjit, e jo kundër tij. Është mirë që partnerët e koalicionit(këtë e paralajmërova në tekstin e kaluar) janë dakord që ligji të mbetet kështu si është, ndërsa çështjes së gjyqësisë t’i jepet shans për ekipim kadrovik, me ndonjë kohë shtesë. Kjo nuk është aq problem i madh.
Ndërsa Tanja që shpiku shkaqet e migrimit(vuajtjet shpirtërore të dashurisë te rinia!), mund të gëzohet paksa më e frenuar, sepse gjërat për ligjin dhe nuk varen shumë nga Komisioni i Venecias që nuk ka vlerë juridike obligative, por këshillëdhënëse. Ajo e di shumë më mirë se sa i ka respektuar qeveria e kaluar, e afërt me botëkuptimet e saj, shumë vlerësime juridike të këtij komisioni, të cilat i fuste në sirtarë! Ligjet s’mund të jenë kontestuese asnjëherë kur i japin dikujt më shumë të drejta kur ato s’ia marrin dikujt tjetër!!! Me fjalë të tjera, s’ka zarar nga e drejta “përtej”, por kur është “e mangët”!
- DJALLI PREJ SHISHE…
Dikush e ka lexuar, dikush ka dëgjuar, për llambën e Aladinit. Thelbi i rrëfimit është në shpirtin e keq i mbyllur në të dhe qëllimi është që atij të mos i lejohet të dalë prej aty!
Kështu më duket se një qëllim i mirë, ka bërë që shpirti i keq i mbyllur të dalë dhe tash ja, po na dalin shumë të papritura.
Marrëveshja me Bullgarinë për fqinjësi të mirë, sado që kishte qëllim që t’i thellojë marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje dhe dy popujve, ai si duket e nxori shpirtin e keq për midani. Një nga pikat e marrëveshjes, ishte çështja e vlerësimit të ngjarjeve dhe personaliteteve historike, por shumë shpejt u shndërrua në përpjekje të kontestimit an bllok të gjithçkaje maqedonase! Kjo s’do të ishte diçka jo normale, sikur të mos ishte pozicioni i supremacionit i palës bullgare kundrejt pozitës inferiore të palës maqedonase, duke e ditur se Bullgaria (mund të) vendos(ë) për fatin e integrimit të Maqedonisë në BE. Ndaj gjithë këto lojëra, ku pa nevojë historianët u bënë pjesë e miqësisë politike, duke filluar me përkatësinë etnike të Goce Dellçevit, e së fundmi edhe me kontestimin e gjuhës maqedonase nga ana e Akademisë Bullgare të Shkencave, që kështu ose ashtu, çojnë në kontestimin e popullit maqedonas.
Politikanët mund të fshihen pas gjuhës ezopiane (diplomatike), siç bëri kohë më parë kryetari bullgar, duke thënë se s’do të kishte zemër të votonte kundër Maqedonisë, por e la kushtin hapur se dhe mund ta bënte, nëse pala tjetër nuk heq dorë nga disa pretendime. Pretendimet maqedonase nuk janë të panjohura: se populli maqedonas është realitet dhe se gjuha maqedonase është realitet dhe e veçantë nga bullgarishtja dhe gjuhë të tjera sllave, pavarësisht çastit ose parakushteve historike të krijimit dhe rrugës së kaluar të zhvillimit. Nuk dua të përsëritem e as të më merr dikush si apologjet i maqedonizmës (se ka mjaft apologjetë edhe pa mua), por me logjikën e këndvështrimit të akademikëve e politikanëve bullgarë, atëherë në territorin e ish-Jugosllavisë, ku është folur gjuha serbo-kroate, praktikisht nuk ka popuj të ndryshëm që quhen serbë, kroatë, boshnjakë, malazias, por vetëm një! Bile gjuha e tyre është më e afërt se bullgarishtja me maqedonishten. Origjina e përbashkët mund të mos jetë kontestuese, por zhvillimi i mëvonshëm i popujve i ka diferencuar me elemente të dallueshme identitare përmes gjuhës, fesë, vetëdijes së përkatësisë tjetër…
Pra, kjo që po ndodh me hapje temash të vjetra e të reja, është pikërisht e kundërt me qëllimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë midis Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe këtu gjithsesi, tagrin më të madh e paguan pala dhe i pari i palës, pra, Maqedonia dhe kryeministri Zaev. Kjo nga shkaku se ka pasur shumë kundërshtarë të një marrëveshjeje e cila i hap temat e rënda të rishikimit të ngjarjeve dhe personaliteteve, e që zaevi e ka mbrojtur me ngulm si të mirë, por që pala bullgare e shfrytëzon për kontestim të plotë të popullit maqedonas, duke i futur pas shpine “mikut”. Kjo nuk i ngjan një marrëveshjeje të miqësisë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)