Që të mbahen zgjedhjet në njësinë e shtatë zgjedhore, gjegjësisht në diasporë duhet të paraqiten për të votuar së paku 6700 qytetarë të Maqedonisë së Veriut që jetojnë edhe veprojnë jashtë vendit. Nëse nuk plotësohet ky kusht, nuk do të organizohen zgjedhjet në diasporë
Destan JONUZI
Shkup, 11 janar – Zgjedhjet e 12 prillit në Njësinë e shtatë zgjedhore, gjegjësisht në diasporë do të realizohen vetëm nëse paraqiten për të votuar së paku 6700 qytetarë – shtetas të Maqedonisë së Veriut që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit.
“Ky është numri i votave minimum nga zgjedhjet e vitit 2016 që ka marrë deputeti me numër më të vogël të votave në njësinë e gjashtë zgjedhore në vend, që është kusht që të mund të organizohen zgjedhjet edhe në diasporë. Bazuar në Kodin Zgjedhor për tu zgjedhur deputet një kandidatë në diasporë së paku duhet të marrë aq vota sa ka marrë deputeti më pak i votuar në vend. Sipas statistikave nga zgjedhjet e vitit 2016, numri është 6 mijë e 700, pra duhet të paraqiten kaq votues për të votuar që zgjedhjet të mund të organizohen në njësinë e shtatë zgjedhore”, deklaroi për KOHA, Admir Shabani, zëdhënës i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).
Në vitin 2016, edhe pse kushti u krijua që të mbahen zgjedhjet në diasporë, megjithatë edhe krahas kostos financiare për organizimin e zgjedhjeve atje, nuk u zgjodh asnjë deputet për shkak të mos përmbushjes së censusit. “Në vitin 2016, numri i votave të cilët kishte marrë deputeti më pak i votuar në zgjedhjet paraprake në vend ishte 6 mijë e 500. Ndërkohë që u paraqitën po aq votues, dhe u organizuan zgjedhjet në njësinë e shtatë zgjedhore. Zgjedhjet u mbajtën por nuk u zgjodh asnjë deputet”, shprehet Shabani. Duhet të plotësohet kushti i parë, shprehet ai, për tu mbajtur zgjedhjet në njësinë e shtatë.
“Në rast se paraqiten aq votues sa është kushti, e që në këtë rast është 6 mijë e 700 zgjedhjet detyrimisht duhet të organizohen sepse është normë ligjore. Ka mjete të parapara edhe nëse zgjedhjet mbahen në diasporë, por në rast se nuk mbahen ato mjete të parapara për organizimin e zgjedhjeve në diasporë do të mbeten të pashfrytëzuara”, nënvizon zëdhënësi i KSHZ, Admir Shabani. Ndryshe në zgjedhjet e kaluara në dy cikle zgjedhore në diasporë janë harxhuar gjithsej 28 milionë denarë, ndërsa nuk është zgjedh asnjë deputet. (koha.mk)