Disavantazhi tjetër i sistemit tonë arsimor, sipas kryetarit të Unionit të Nxënëseve të Shkollave të Mesme (UNSHM), Lluka Paviçeviç është mungesa e mbështetjes për nxënësit e dalluar dhe të talentuar
Zenel MIFTARI
Shkup, 19 maj – Njohësit e çështjeve arsimore, por edhe nxënësit kërkojnë ndryshimin e kurikulave shkollore dhe futjen e lëndëve të reja në arsimin fillor, por edhe të mesëm. Një nga ndryshimet më të nevojshme për momentin, sipas njohëseve të çështjeve arsimore, është ndryshimi i metodës për lëndën e edukimit qytetar, ku do të përfshinte dhe do të stimulonte aktivizmin qytetar dhe futjen e lëndëve apo pjesëve rreth edukimit financiar dhe mediatik. Disavantazhi tjetër i sistemit tonë arsimor, sipas kryetarit të Unionit të Nxënëseve të Shkollave të Mesme (UNSHM), Lluka Paviçeviç është mungesa e mbështetjes për nxënësit e dalluar dhe të talentuar.
“Çdo 18-vjeçar duhet të dijë se çfarë do të thotë të jesh qytetar aktiv në një shoqëri. Duhet të dimë si funksionon shteti, Kushtetuta dhe sistemi politik. Duhet të dallojmë faktin nga propaganda, të merremi me lajmet e rreme dhe teoritë konspirative. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet vlerësimit të burimeve dhe konsumit kritik të tregimeve mediatike”, thotë ai. Paviçeviç ka shtuar se vlerat e përgjegjësisë, vullnetarizmit dhe bamirësisë duhet të përcillen dhe t’u kalohen brezave të ardhshëm. Sipas tij, njohuria financiare është thelbësore dhe është e papranueshme që një i ri të mbaroj shkollën e mesme pa ditur të plotësojë një fletëpagesë apo deklaratë tatimore. “Të lexosh veprat e mendimtarëve të mëdhenj gjatë historisë, të debatosh dhe të eksplorosh. I njëjti parim duhet të zbatohet për fushat që janë më pak të pranishme në arsimin e mesëm, si aktrimi dhe gazetaria”, potencoi në fund Paviçeviç.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ka njoftuar se është duke përgatitur futjen e lëndëve të reja në kurikulat shkollore apo ndryshimet e kurikulave aktuale. Sipas tyre, i gjithë ky angazhim bëhet që nxënësit të jenë në hap me sfidat e kohës dhe konkurrues në tregun ndërkombëtar. Profesori dhe njohësi i çështjeve arsimore, Satki Ismaili për gazetën KOHA, ka deklaruar se pikërisht gjatë javës së kaluar bashkë me 100 mësimdhënës tjerë kanë mbajtur një trajnim rreth futjes së edukimit mediatik në kurkilat shkollore. Ai tha se trajnimi ishte i organizuar nga USAID në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Byrosë së Zhvillimit të Arsimit (BZHA).
“Ndryshimi i kurikulave shkollore është më se e nevojshme gjatë kësaj kohe sepse tani kemi sfida të reja përpara dhe gjeneratat e ardhshme duhet t’i përgatisim për sfidat me të cilat do të përballen gjatë jetës dhe karrierës së tyre. Mediumet sot kanë ndikim të madh në shoqëri dhe luajnë rol të rëndësishëm. Por nxënësit duhet të mësohen ta dallojnë lajmin nga propaganda, lajmin e rremë nga e vërteta dhe teoritë konspirative”, tha Ismaili. Sipas tij, në bazë të disa hulumtimeve të bëra ka rezultuar se këto ndryshime janë të nevojshme për shoqërinë tonë dhe janë mirëpritur shumë mirë nga mësimdhënësit por edhe nxënësit. Duke shpjeguar metodën se si do të bëhen ndryshimet në kurikulat shkollore, ai tha, se nuk do të ketë lëndë të veçantë por në lëndët përkatëse do të futen disa pjesë rreth edukimit mediatik. (koha.mk)