Konfederata e Sindikatave të Pavarura të Maqedonisë, u shpreh që zgjidhja aktuale ligjore duhet të ndryshohet vetëm në nenin 134 paragrafi dy ku duhet të thuhet: dita e pushimit javor është e diela. Çdo punë gjatë të dielës të llogaritet si punë jashtë orarit dhe pagesa ditore të rritet për 50 për qind
Zenel MIFTARI
Shkup, 5 dhjetor – Qeveria është duke planifikuar që ta shpallë ditën e diel ditë jo pune për të gjithë dhe pagesa e punëtorëve të bëhet llogari në bazë të orëve të cilët ata punojnë. Ndërkohë që problemet të cilat i paraqesin punëtorët në takim me përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, janë puna jashtë orarit, puna gjatë festave dhe puna të dielave. Paraqitje e këtyre problemeve vijnë nga punëtorët që kanë pagat më të ulëta në vend siç janë punëtorët e tekstilit, punonjësit në supermarketeve, qendrave tregtare dhe punëtorët e ndërtimit. Sipas propozimit të Ministrisë së Ekonomisë, për projekt ligjin e ri për të mos punuar ditën e diel, do t’i përfshij supermarketet e mëdha dhe qendrat tregtare. Ndërkohë që për shitoret e vogla, furnizuesit e ushqimit dhe agjencitë e udhëtimit nuk do të ketë ndryshime për momentin.
Konfederata e Sindikatave të Pavarura të Maqedonisë, u shpreh që zgjidhja aktuale ligjore duhet të ndryshohet vetëm në nenin 134 paragrafi dy ku duhet të thuhet: dita e pushimit javor është e diela. Çdo punë gjatë të dielës të llogaritet si punë jashtë orarit dhe pagesa ditore të rritet për 50 për qind. Sipas tyre, në nenin 134 duhet të shtohet paragrafi tre dhe të thuhet se orari javor i punës nuk mund të zgjatet të dielën dhe është i vlefshëm nga e hëna në të shtunën. Me këtë ndryshim, ata besojnë se nevojat e punëtorëve dhe sektorit të biznesit do të plotësohen sepse në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, neni 117 paragrafi pesë thotë se puna jashtë orarit mund të zgjasë maksimumi tetë orë gjatë një jave dhe maksimum 190 orë në vit.
Ndërkohë ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë e shërbimeve hotelirike dhe turistike dhe qëndrimi i tyre është që nuk duhet të ketë ndryshime në të ardhmen në ligjin momental. “Momentalisht jemi pranë fundit të analizës, ne do të hapim një debat publik dhe natyrisht ky memorandum i bashkëpunimit do të kontribuojë që komuniteti i biznesit të japë kontributin e tij”, u shpreh Bekteshi. Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, u shpreh se javën e kaluar kishin një takim në Qeveri me zv. kryeministrin për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe ministren e Punës dhe Politikës Sociale Jagoda Shahpaska. Ai thotë se është diskutuar që disa nga bizneset që veprojnë gjatë fundjavave mund të bëjnë punën e tyre, por që punëtorët të kenë një ditë pushimi gjatë javës.
Ndryshe, sipas një hulumtimi të bërë kohën e fundit ka rezultuar se 70 për qind e punëtorëve punojnë jashtë orarit të tyre, ndërkohë që afër 60 për qind punojnë më shumë se 50 për qind në javë dhe vetëm rreth 11 për qind prej punëtorëve kanë deklaruar se nuk punojnë në ditë feste apo në fundjavë. (koha.mk)