Përderisa përfaqësuesit e punëdhënësve dhe Lidhja e Sindikatave e kanë përshëndetur një hap të tillë, një pjesë e organizatave joqeveritare që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, kanë paralajmëruar se Ligji do të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 qershor- Nga 1 tetori, në Maqedoni e Veriut dita e diel do të jetë ditë jo pune me përjashtim të qendrave tregtare, veprimtarive të caktuara tregtare, pompave të benzinës, si dhe veprimtarive ku nuk mund të ndërpritet procesi i punës. Propozim-ligji është miratuar nga Qeveria dhe është dërguar për të dhënë dritë të gjelbër edhe nga Parlamenti. Gjithashtu, parashikohet të punojnë edhe shitoret për tregti me pakicë, pije dhe duhan, ku do të mund të punojë vetëm pronari i biznesit të vogël, si dhe brenda tregjeve të gjelbra. Pritet që me zgjidhjen e re ligjore, punëtorët që punojnë të dielën – të paguhen me së paku 50 për qind më të lartë se mëditja e rregullt, ndërsa do të marrin një ditë pushimi që do ta përdorin në shtatë ditët e ardhshme. Ndalesa për punë për pjesën më të madhe të punëtorëve në vend megjithatë ka shkaktuar edhe reagime të shumta në opinion. Përderisa përfaqësuesit e punëdhënësve dhe Lidhja e Sindikatave e kanë përshëndetur një hap të tillë, një pjesë e organizatave joqeveritare që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, si dhe përfaqësues të lojërave të fatit, kanë kundërshtuar një ide të tillë.
PUNËDHËNËSIT TË MOS IKIN TË HOLLAT TEK FQINJËT
Numri një i Organizatës së Punëdhënësve në vend, Angel Dimitrov, thotë se nuk mund të pritet që investitorëve që kanë investuar me dhjetëra milionë euro në qendrat e mëdha tregtare në Shkup, t’u ndaloni të punojnë ditën e diel. Mirëpo, në rregull është që ai që punon të dielën – të fitojë mëditje të dyfishtë, ndërsa edhe shteti do të fitojë mjete për infrastrukturën siç janë çerdhet.
“Pra, kjo paraqet një kompromis për të gjitha palët dhe në këtë moment të zhvillim të shtetit, është i pranueshëm. Ndoshta nesër kur do të kemi një mirëqenie me të ardhura prej 8 mijë apo 9 mijë dollarë për kokë banori, nuk do të duhet që edhe punëtorët e tjerë të punojnë të dielën. Megjithatë, Maqedonia tani nuk guxon që qytetarët tërë ditëve të diela apo për vikend të shkojnë në Bullgari apo Serbi dhe atje të harxhojnë para, ndërsa qendrat tona tregtare të jenë të mbyllura”, shton Dimitrov.
Nga ana tjetër, në Ligjin për marrëdhënie pune janë theksuar të gjitha veprimtaritë që për shkak të karakterit teknologjik të një kompanie, apo të veprimtarive vitale si policia, ushtria, shëndetësia, dhe të ngjashme – do të punojnë edhe të dielën. Të gjithë të punësuarit që do të punojnë të dielën do të kenë mëditje për 50 për qind më të lartë dhe ditë të lirë përgjatë javës së ardhshme. Të gjithë tregtarët që do të punojnë të dielën do t’u paguajnë punëtorëve 100 për qind mëditje, si dhe 2 për qind të qarkullimit do të paguhet për ndërtimin e kopshteve të fëmijëve.
OJQ-të KANË FRIKË NGA MANIPULIMET
Nga ana tjetër, shoqata për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve “Punëtori i zëshëm i tekstilit”, ka kundërshtuar të dielën si ditë jo pune, për shkak se sipas tyre, zgjidhja që kompanitë të mos keqpërdorin të punësuarit dhe të respektojnë të dielën si ditë pune, është lidhja në mënyrë elektronike me evidencën e orarit të punës në Drejtorinë për të Ardhura Publike. Pritet që Ligjin ta kontestojnë së bashku me shoqata dhe një pjesë të sindikatave në Gjykatën Kushtetuese. Nga atje shtojnë se ky ligj nuk ka ofruar interpretim autentik të kompanive që kanë karakter të veprimtarive përcjellëse apo ndihmëse që mund të punojnë ditën e diel. “Pra, e diela nuk është ditë që nuk punohet, pro do të jetë ditë pune për shumë veprimtari. Edhe mungesa e një interpretimi autentik se cilat janë ato veprimtari që mund të punojnë, për shkak se mund të dalin edhe 100 të tilla dhe në fakt – do të kem shkelje legale të të drejtave të punëtorëve në emër të profitit”, reagon Kristina Ampeva nga shoqata “Punëtori i zëshëm i tekstilit”.
Nga ana tjetër, ka reaguar edhe Shoqata e Bastoreve Sportive të Maqedonisë. Sipas tyre, e diela si ditë jo pune për bastoret do të thotë largim nga puna i 30 për qind të të punësuarve dhe të ardhura të reduktuara në buxhet. “Vendimi që e diela të jetë ditë jo pune në bastoret sportive seriozisht do ta rrezikojë punën afariste sepse më shumë se 70 për qind e fitimit realizohet të dielën. Kjo në mënyrë të drejt për drejtë do të ndikojë mbi punën financiare, do të sjellë deri te zvogëlimi drastik i të ardhurave, si dhe zvogëlimi i numrit të të punësuarve”, theksojnë përfaqësuesit e bastoreve.
KROACI, E TRETA E VËRTETA
Në Kroaci është në rrjedhë e sipër përpjekja e tretë për të vendosur sërish të dielën si ditë jo pune. Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, paralajmëroi në fillim të muajit maj se me ndryshimet e Ligjit për tregti, puna të dielën në dyqane do të ndalohet me përjashtim të 16 të dielave në sezonin turistik dhe në kohë të festave. Në vitet 2004 dhe 2009, Gjykata Kushtetuese kroate hodhi poshtë vendimin për të përkufizuar punën e tregtisë në ditët e diela. Në Serbi, ekzistojnë nisma të përkufizohet puna e tregtisë me ushqime dhe mallra të përzier në ditën e diel, mirëpo për këto përkufizime – për dallim prej Kroacisë, në Serbi angazhohen sindikatat, ndërsa qeveria serbe nuk ka mirëkuptim për një vendim të tillë. (koha.mk)