Një vajzë e vogël, e cila mësoi se vuante nga një formë e rrallë kanceri pasi u sëmur papritur një ditë në shkollë, ndërroi jetë. Tia Llewellyn iu dha vetëm 5 për qind shanse për të mbijetuar, pasi u diagnostikua me alveolar rhabdomyosarcoma të gradës së katërt, që shfaqet në të shumtën e rasteve tek fëmijët e rritur. Tia u vendos në koma dhe iu dha adrenalinë për ta mbajtur në jetë, por 12-vjeçarja ndërroi jetë të premten e shkuar pasi pësoi infeksion në kraharor dhe helmim të gjakut. Nënës së saj iu desh të merrte vendimin më të vështirë në botë, t’i hiqte asaj adrenalinën që e mbante në jetë. Katër javë më parë, Tia ishte një vajzë e shëndetshme si gjithë bashkëmoshatarët e saj, derisa një ditë u ndje keq. Pak ditë më vonë, mjekët e diagnostikuan të voglën me një kancer të rrallë të indeve të buta, që ishte përhapur në kocka. Vendimi i nënës së saj për ta lënë të vdiste erdhi pasi mjekët i thanë se nuk mund të bënin më asgjë për 12-vjeçaren. Duke folur për Wales Online, Sarah tha: “Nuk doja që të vuante më shumë. Trupi i saj nuk mund të përballonte më shumë dhimbje. Ishte një fëmijë fantastik”.