Bujar KURTAJ
Shkup, 12 shkurt – “Futbolli nuk është vetëm një sport, është diçka më tepër që më inspiron mua për tu mos u dorëzuar në gjërat që i dua dhe i filloj”, kështu e fillon rrëfimin e saj për gazetën KOHA, Egzona Jashari, futbollistja e KFF “Tetova”. Egzona, një vajzë e hareshme dhe gazmore, për gazetën KOHA, zbulon edhe detaje tjera para se të fillon të merret me futboll. Në fakt ajo në fillim është marr me karate, pastaj me hendboll që më pas të fillon të merret me atë që siç tha e inspiron për tu mos u dorëzuar, pra sporti i futbollit.
“Dëshira për sport për mua vjen nga fëmijëria. Jam dashamirë e sportit, por edhe që është më e rëndësishmja, rrjedh prej një familjes sportdashëse (tezja është marr me karatë) të cilët nuk më ndaluan të vazhdoj në rrugëtimin që e fillova si e re. Në fillim jam marr me karate te KK “Shogun” ku trajner e kisha Daut Bilibanin, një trajner i cili siç e dini arriti të zbulojë shumë talent të këtij sporti. Por sinqerisht sportin e karatesë e kisha vetëm si hobi prandaj nuk vazhdova shumë të merrem me këtë sport”, filloi rrëfimin e saj Egzona.
Pjesë e KH “Çair”
Pasi braktis karatenë, Egzona filloi të merret me hendboll edhe atë si portiere e KH “Çair”. “Me hendboll fillova të merrem nga viti 2007 kur edhe u themelua klubi i parë i hendbollit për femra ‘Çair’ edhe atë nën drejtimin e Mia Islami, ku unë por edhe vajzat që kanë qenë dhe janë pjesë e këtij klubi, duhet të jenë mirënjohës për punën dhe kontributin që e jep ajo. Këtu qëndrova shtatë vite dhe më pas u transferova te KH ‘Universi’ në Ligën e parë. Isha një portiere e dalluar dhe me paraqitjet që i bëra, për shërbimet e mia filloi të interesohet KH ‘Vardar’. Por, lëndimi i hundës ku më pas kisha edhe një intervenim kirurgjik, pengoi që ky transferim të realizohet”, vazhdoi më tej 23 vjeçarja nga Shkupi.
Nga hendbolli tek futbolli
Fakti që nuk u realizua transferimi te KH “Vardar” ndoshta doli më mirë për Egzonën, pasi pas kësaj ajo filloi të merret me atë që më së shumti ia donte zemra, sportin e futbollit. ishte 17-vjeçe dhe hapat e parë i ka bërë si nxënëse e shkollës së mesme “Llazar Licenoski”. “Hapat e parë me futbollin i kam bërë në shkollë të mesme kur u kyça në ekipin e shkollës ‘Lazar Licenoski’. Aty u zgjodha lojtarja më e mirë dhe njëkohësisht isha kapitene e ekipit. Nëpër ndeshjet që i zhvilloja, kisha zgjuar interesimin e klubeve të Ligës së parë ‘Edinstven’ dhe ‘Dragon’, gjë që edhe ndodhi por me këta dy klube zhvillova vetëm seanca stërvitore. Arsyeja se pse nuk luajta ishin studimet në Universitetin Shtetëror të Tetovës, pasi nuk mundesha ti ndjek njëkohësisht edhe trajnimet edhe studimet”.
“AS United” klubi i parë, tani te KFF “Tetova”
Pasi dështoi transferimi fillimisht te “Edinsteven” dhe “Dragon”, Egzona arriti marrëveshje me skuadrën e “AS United” nga Struga. “Pasi ndërpreva bashkëpunimin me dy klubet ‘Edinstven’ dhe ‘Dragon’, fillova bisedimet me skuadrën e ‘AS United’ nga Struga. Trajneri Astrit Merko më mundësoi që të jem pjesë vetëm për ndeshje pa i ndjekur stërvitjet e tyre. Arritëm marrëveshje dy vjeçare dhe gjatë këtyre dy viteve ku luaja si mesfushore defensive, fillova një eksperiencë të mirë”, pohon Egzona, e cila tani mbron ngjyrat e KFF “Tetova”. Pas themelimit të klubit KFF ‘Tetova’ mora ftes nga trajnerët Shpëtim Kuçi, Atita Loki, Valon Ameti dhe Suzana Sinadinoska, të jem pjesë e këtij klubi, gjë që edhe ndodhi. Aktualisht jam pjesë e këtij klubi dhe ndjehem shumë mirë. Luaj si mesfushor defensive, por nganjëherë edhe luaj në mbrojtje. Këtë sezon jemi angazhuar të gjithë që sa më shpejtë ti shijojmë sukseset, pasi stafi teknik po e bën një punë të madhe”.
Studimet dhe martesa
Ndryshe Egzona është e martuar, ndërsa është në prag edhe të përfundimit të studimeve. Por, ajo zbulon një dëshirë të cilën për fat të keq nuk i është realizuar. “Duke parë dashurinë e madhe që kisha për futbollin, dëshiroja që dasmën ta bëj në stadium, në fushën e gjelbër. Mirëpo, për fat të keq kjo nuk ndodhi, dhe e tëra që arrita ta bëj ishte një fotosesion dhe një dokumentar të shkurtë që e bëra te stadiumi i FC Shkupi. Atë që dua të përmend është se kam përkrahjen e madhe të bashkëshortit Ilirit, i cili në çdo ndeshje vjen dhe më përcjell. Ai gjithashtu më përkrah edhe në studimet, ku jam në prag të përfundimit në USHT”. Në fund Egzona tregoi edhe synimet e saja. “Dëshiroj që një ditë të luaj për ndonjë klub jashtë Maqedonisë. Sigurisht se për këtë nevojitet punë, por duke e njohur karakterin tim, besoj se kjo do të ndodh një ditë. Në fund dëshiroj që të falënderoj edhe rektorin e Universitetit të Tetovës Vullnet Ametin për përkrahjen që po ia jep klubit dhe atyre si dhe profesoreshës Shpresa Memishi”, përfundoi Egzona Jashari.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.