Eden Hazard do të jetë futbollist i Real Madridit sezonin e ardhshëm. Pasqyra e kësaj marrëveshje është bërë e qartë tashmë dhe belgu do të largohet nga Chelsea.
Gazeta prestigjioze në Francë, “L’Equipe” ka bërë me dije pak minuta më parë se Real Madrid do të zyrtarizojë blerjen e Hazard pas datës 29 maj, që përkon me finalen e Europa League, që Chelsea do luajë kundër Arsenal.
28-vjeçari do t’i kushtojë 100 milionë euro klubit madrilen, një shifër e kënaqshme për Chelsea, kur lojtari vetëm një vit nga fundit i kontratës, pavarësisht vullnetit të tyre për të mos humbur një lojtar të rëndësishëm si Hazard.
Ky operacion filloi nga Zinedine Zidane menjëherë sapo francezi u rikthye në krye të stolit të Realit dhe vendosi që blerja e parë do të ishte ylli i Chelsea.
Vetë Hazard deklaroi se ai e ka marrë një vendim për të ardhmen e tij dhe këtë do e thotë pas finales në Baku.
“Unë e kam marrë vendimin tim. Pres që gjërat të ndodhin, por ia kam thënë klubit disa javë më parë. E kam marrë vendimin tim, por nuk ka të bëjë vetëm me mua. Kemi edhe një finale për të luajtur dhe pastaj do të shoh”, tha Hazard.