Portieri Iker Casillas i thotë stop futbollit të luajtur! Spanjolli kaloi një atak kardiak në fundin e sezonit që lamë pas, ndërsa tani duket se do t’i japë përfundimisht fund karrierës si portier. 38-vjeçari nuk do të largohet nga Porto, por do të jetë pjesë e stafit teknik. Legjenda e Real Madrid-it do të bëhet pjesë e stafit deri në momentin që do të
kalojë problemet shëndetësore. Mosha e tij nuk i premton, prandaj me shumë mundësi kjo është një mbyllje përfundimtare e karrierës së tij.
Casillas do të ketë rolin e ndërmjetësuesit të klubit në marrëdhëniet me lojtarët dhe drejtuesit. Ai ka folur për sajtin zyrtar të Portos duke shpjeguar të ardhmen e tij.
“Do të bëj diçka ndryshe nga ajo që jam mësuar të bëj zakonisht, që ishte në fushë. Do të provoj të bëj lidhjet ndërmjet skuadrës dhe klubit. Trajneri foli me mua gjatë sezonit të kaluar kur më ndodhi problemi shëndetësor dhe ai më tha se dëshironte të qëndroja me ekipin, afër lojtarëve dhe të ndihmoj futbollistët e rinj. Do të provoj të
bëj më të mirën për të ndihmuar shokët e skuadrës”, – u shpreh Casillas.